Ekonomi
Tatimi progresiv, Tevdovski: 18% për të ardhura neto mbi 1000 euro; Angjushev: duhet pasur kujdes pragu normativ
28.03.2018 16:50
Prej muajit prill do të fillojë debati për tatimimin progresiv përmes të cilit parashikohet për çdo të ardhur mbi 1000 euro të paguhet tatim prej 18 për qind...

Sipas Tevdovskit, të ardhura mbi 1000 euro në Maqedoni realizojnë rreth 2% e qytetarëve. Për ata që marrin më pak se 1000 euro, tatimi mbetet i njëjtë, pra në masën 10%.
Por, zëvendëskryeministri Angjushev kërkon që paraprakisht të bëhen analiza të thella rreth tatimit progresiv, pasi që, nëse lëshohet shumë poshtë pragut mbi të cilin do të ndryshonte norma e tatimit, kjo mund të shkaktojë revoltë tek qytetarët e klasës së mesme.
“Mendoj që në Maqedoni kur t’i shihni statistikat e sakta të DAP-it, diku rreth 2 për qind e qytetarëve janë ata që marrin të ardhura neto mbi 1 mijë euro. Mendojmë që aty është kufiri për masën e parashikuar, sepse kjo masë sigurisht nuk do të prek klasën e mesme të qytetarëve”,- deklaroi ministri i financave, Dragan Tevdovski.
“Ende nuk kemi marrë qëndrim për shumën se sa do të jetë më e ulëta. Ministri e ka mendimin e tij, por unë them se duhet shqyrtuar mirë në të gjitha aspektet dhe se sa efekti i kësaj mase do të jetë pozitiv”,- tha zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koco Angjushev.
Nga Banka Botërore thonë se është e rëndësisë së lartë se si harxhohen financat publike dhe se duhet me patjetër të investohen këto të ardhura.
Nga Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se faktorë të rëndësishëm janë infrastruktura e mirë, sundimi i së drejtës dhe rritja e produktivitetit. Komentet u bënë në forumin “Ekonomia maqedonase mes vizionit dhe dilemës”.
GAZMEND REXHEPI
