Kulturë

Vazhdon promovimi i “Sagës Ballkanike”, “Kufiri” i Luan Starovës flet edhe maqedonisht

28.03.2018 17:13

Romani “Kufiri” i akademikut, Luan Starova, libri i 17 i “Sagës Ballkanike”, u promovua në gjuhën maqedonishte në Shkup...

Sipas Starovës, kuptimi i këtij libri zbulon aspektet mitike të thella që i nget në vete kufiri me drama të shkruara dhe të pashkruara, në vazhdën e rrëfimeve për kufijtë ballkanikë, për përfshirjen e tyre në fatin e njerëzve në një udhëtim letrar që dëshmon për tragjedinë ballkanike. 
 
“Në instancë të fundit si çdo libër i “Sagës Ballkanike” që është shkruar, ka funksionin të përmbajë në vete një metaforë globale, në këtë rast është asgjësimi i kufijve që ne shqiptarëve në histori shumë na ka kushtuar”,- deklaroi autori i librit, akademik Luan Starova.
 
“Sot, rrallë herë ndodh që një shkrimtar me aq përkushtim dhe fokusim të përqendrohet në krijimin e më shumë veprave të ciklit të romaneve, në mënyrë bazike të paracaktuara nga reciklimi i një metafore obsesive. Në rastin konkret ndodh me shkrimtarin dygjuhësor, Luan Starovën. Them dygjuhësor, pasi ai i përket literaturës maqedonase dhe asaj shqiptare. Kjo është një metaforë obsesive dhe një përvojë traumatike e mërgimit dhe kalimit të kufirit që i ka ndodhur familjes së tij të adoptuar”,- tha kritikja letrare, Elizabeta Sheleva.
 
Romanet e akademikut, Luan Starova, janë përkthyer në shumë gjuhë. Për veprën e tij letrare është fitues i shumë çmimeve prestigjioze vendore dhe të huaja. Shkruan në gjuhën shqipe si gjuhë amë, maqedonase dhe frënge.
 
KALTRINA MAKSUTI