Maqedoni
Zgjerimi i Qeverisë, Zaev do dy BESA-t dhe PDT-në në Qeveri, nesër takim Zaev - Ahmeti
28.03.2018 17:49
Shumica parlamentare mund të zgjerohet me përfshirjen e Partisë Demokratike Turke dhe me dy grupet e Lëvizjes BESA...

Kryeministri, Zoran Zaev, tha se bisedimet me partinë turke janë në përfundim e sipër, ndërsa bisedimet me dy grupet e Lëvizjes BESA do të pasojnë më vonë.
“Duhet ta përmbyllim këtë lloj bashkëpunimi, pastaj do të bisedojmë edhe me parti të tjera politike, parasëgjithash mendoj për BESA-n dhe atë të dy grupet. Shpresoj se do të ketë diçka që do t’i bashkojë si një grup. Shoh që deputetët po bashkëpunojnë dhe besojnë në këtë koncept që është orientuar nga qeveria dhe më pas do të bisedojmë edhe me partitë e tjera opozitare dhe deputetë që ende janë në opozitë”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
Sipas Zaevit, ka deputetë dhe parti politike që janë në opozitë, por nuk pajtohen me partinë më të madhe opozitare dhe kjo ka qenë arsyeja për të biseduar me të gjithë. Për zgjerimin e koalicionit qeverisës, Zaev do të bisedojë me kreun e BDI-së, gjatë të enjtes, në Kuvendin Republikan.
“Nesër do të shihemi në Kuvend, kemi pyetje deputetësh dhe sigurisht pauzën do ta shfrytëzojmë për bisedime të këtilla. Qëndrimi i përgjithshëm i koalicionit qeveritar është që të mbajë dyert e hapura. Që kur shpallëm qeverinë dhe marrëveshjen për koalicionim, shprehëm qëndrimin se mbetemi me dyer të hapura dhe nga ky aspekt si mandator dhe kryeministër është lënë mundësia që kryeministri të bisedojë vazhdimisht me deputetë dhe parti politike që janë të gatshëm që të mbështesin programin e qeverisë”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
Zëvendëskryeministri, Hazbi Lika, nga radhët e BDI-së, konfirmoi qasjen afirmative të BDI-së për zgjerim.
“Kjo është një pyetje të cilës nuk mund t’i jap sot unë përgjigje, por është e rëndësishme që shteti të jetë më i konsoliduar dhe cilado parti që ka të njëjtin përkushtim për t’i çuar proceset përpara, ne jemi të gatshëm të bisedojmë, analizojmë dhe në fund edhe të vendosim”,- tha zëvendëskryeministri, Hazbi Lika.
Partitë që do të pajtohen të bëhen pjesë e qeverisë duhet të mbështesin konceptin dhe pozicionet e qeverisë rreth çështjeve aktuale në Maqedoni, si çështjen e problemit me emrin, reformat dhe konceptin “Një shoqëri për të gjithë”.
SHPËTIM NUREDINI
