Dhuna ndaj gazetarëve, ShGM: Të krijohet mekanizëm mbrojtës institucional

28.03.2018 19:15

ShGM kërkon krijimin e një mekanizmi institucional për ndjekjen e dhunës kundër gazetarëve....

ShGM kërkon krijimin e një mekanizmi institucional për ndjekjen e dhunës kundër gazetarëve.

Kreu i ShGM-së, Naser Selmani, kërkon që të krijohet ambient i sigurt për punën e gazetarëve, i cili, sipas tij, për momentin lë për të dëshiruar. Për të rritur sigurinë e gazetarëve dhe cilësinë e raportimit, ShGM së bashku me OSBE-në do të organizojnë aktivitete në më shumë qytete të vendit, që kanë si qëllim t’i japin fund praktikave të mosndëshkimit të dhunës ndaj gazetarëve. Memorandum u nënshkrua sot dhe parashihet organizimi i gjashtë trajnimeve për gazetarë dhe pjesëtarë të policisë, të cilët do të përqendrohen në mbulimin e ngjarjeve me rrezik të lartë.

“Ne do të insistojmë që ndërtojmë një mekanizëm institucional i cili në mënyrë efektive do të  hetojë të gjitha rastet e dhunës kundër gazetarëve dhe përgjegjësit për këto akte t’i nxjerrë para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar. Vetëm në këtë mënyrë ne do të bëjmë dallimin nga e kaluara kur politika e mosndëshkimit të dhunës kundër gazetarëve ishte një realitet i hidhur”,- theksoi kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.

“Së bashku me Shoqatën e Gazetarëve dhe Ministrinë e Brendshme do të organizojmë më shumë aktivitete për përmirësimin e sigurisë së gazetarëve dhe t’i japim fund mosndëshkimit të krimit ndaj gazetarëve, që ka të bëjë me lirinë e mediave”,- u shpreh ambasadorja e OSBE-së, Nina Suomalainen. (Naim Ramadani, TVM2)