Taksa për “Rrugën e Kombit”, nis pagesa dhe përplasjet, ankohen shoferët
Hyjnë në fuqi zyrtarisht tarifat për “Rrugën e Kombit”...

Hyjnë në fuqi zyrtarisht tarifat për “Rrugën e Kombit”. Tanimë për të kaluar nëpërmjet kësaj rruge drejtuesit e motorëve do të paguajnë 2.5 euro, ata të makinave të vogla 5 euro dhe 22.5 euro do të paguhet për kamionët e mëdhenj. Tarifa e vendosur për të përdorur “Rrugën e Kombit”, që në shpalljen e saj është konsideruar si tepër e lartë me ndikim në xhepat e qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë.
Ndërkohë, shtetasit kosovarë, që lëvizin për nevojat e tyre, kanë debatuar ashpër me sportelistët e firmës koncesionare. Pasi ata kanë paguar me euro, kusuri u është kthyer në lekë, por ata kanë kërkuar që kusurin ta marrin përsëri në euro. Sportelistët janë justifikuar se kështu e kanë sistemi.
Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu, i ka bërë thirrje kryeministrit Rama të reflektojë për këtë taksë, ndërsa kryeministrit të Kosovës i kërkoi që të ndërhyjë pranë Qeverisë shqiptare për të rivendosur lëvizjen e lirë dhe pa barriera.
