Botë
Venezuelë, zjarr në qelitë e komisariatit, 68 të vdekur
29.03.2018 09:27
68 persona kanë humbur jetën në qytetin venezuelian të Valencias pas flakëve që shpërthyen në një komisariat policie...

Zjarri u vu nga vetë të burgosurit, ndezën dyshekët në përpjekje për t’u larguar nga qelitë. Pjesa dërrmuese e viktimave ishin të dënuar, por mes tyre besohet të jenë edhe dy gra, të cilat kishin shkuar në stacionin e policisë për të takuar të afërmit e tyre.
Forcat e rendit përdorën gazin lotsjellës për të shpërndarë familjarët e grumbulluar përpara godinës me të mësuar lajmin e zjarrit. Shoqatat për të drejtat e njeriut, që monitorojnë kushtet në burgje, thonë se një oficer policie është qëlluar në këmbë nga një i burgosur e shumë shpejt pas kësaj dyshekëve nëpër qeli iu vu flaka.
Nuk vonoi shumë që zjarri të përhapej me një shpejtësi marramendëse. Disa prej viktimave u dogjën të gjallë, ndërsa të tjerë vdiqën të asfiksuar prej tymit. Të afërmit e zemëruar u përleshën me policinë përpara dyerve të institucionit të riedukimit, ku ishin mbledhur për të kërkuar informacion mbi njerëzit e tyre.
Burgjet në Venezuelë janë të mbipopulluara dhe, me problemet e mëdha ekonomike që po kalon vendi, autoritetet e tij po përpiqen me shumë mundim t’i akomodojnë të dënuarit, duke përdorur përkohësisht edhe ambiente si ato të komisariatit në Valencia.
