Maqedoni

Xhaferi: Nuk nënshkruaj në vend të Ivanovit, për Ligjin e gjuhëve ekzistojnë zgjidhje tjera

29.03.2018 12:59

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, tani për tani nuk e ka ndërmend ta nënshkruaj Ligjin për gjuhët në vend të presidentit të shtetit i cili refuzon për së dyti herë të dekretojë ligjin...

Në brifingun me gazetarë, kryeparlamentari Xhaferi tha se, në konsultim me ekspertët, po shqyrton të gjitha procedurat e mundshme dhe premton se do të gjendet zgjidhje në këtë drejtim dhe se do të vendoset për zgjidhjen më të afërt dhe më të pranueshme me procedurat e funksionimit të Kuvendit. Ai sqaron se nuk ka afat kohor se kur ligji do të mundej të shpallet në Gazetën Zyrtare.
 
Xhaferi është decid se Ivanovi ka shkelur kushtetutën në mosdekretimin e ligjit. Për të gjetur rrugëdalje nga kjo situatë kreu i Parlamentit ka kërkuar takim me presidentin Ivanov, por sot e kësaj dite ai nuk ka marrë përgjigje nga kabineti i tij.
 
Sa i përket mundësisë për impiçment ndaj presidentit të shtetit, Xhaferi thotë se kjo është një procedurë e komplikuar dhe voluminoze pasi e njëjta fillimisht duhet iniciuar në Kuvend nga së paku 30 deputetë dhe pas miratimit të konkluzionit ai duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa vendimi përfundimtar duhet të miratohet me dy të tretat e votave, që nuk i ka shumica qeveritare.
 
Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, po ashtu shpreson se nga java e ardhshme opozita do të kthehet në Kuvend, pasi deputetët që ishin të arrestuar për incidentet e 27 prillit në Kuvend, e që ishin shkas për të bojkotuar VMRO punën e Kuvendit, tanimë janë liruar nga paraburgimi. Kryeparlamentari Xhaferi shpreson se nga java e ardhshme do të fillojë edhe procedura kuvendore për ligjet e harmonizuara me opozitën, që kanë të bëjnë me reformat integruese.
 
REXHEP QAMILI