Maqedoni

Avokati i Popullit, zbatohet drejtësi selektive, administrata pengesë për realizimin e të drejtave

29.03.2018 15:08

Avokati i popullit vitin e kaluar konstatoi diskriminim dhe cenim e të drejtave dhe lirive të njeriut në shumë sfera...

Sipas tij, kemi gjyqësor joefikas dhe prokurori që nxit mosbesim te qytetarët, polici që tejkalon autorizimet e veta me zbatimin e forcës, strukturë të partizuar të administratës, parregullsi në punën e përmbaruesve, mbrojtja dhe siguria sociale mbetet e paarritshme për kategoritë me rrezik social, kemi mungesë të reformave reale në mbrojtjen shëndetësore dhe përkeqësim të komunikimit mes Avokatit dhe pushtetit gjyqësor. Po ashtu, sipas tij, problem shtesë është veprimi selektiv i prokurorisë kur kemi të bëjmë me rastin e Almirit, andaj nëse konstatohet informacioni nga mediat se personi që ka kryer ekspertizën nuk ka pasur licencë, do të duhet të konstatohet përgjegjësia e prokurorisë.
 
“Të presim se kjo që është publikuar sa është e saktë dhe e vërtetë, dhe me siguri se nëse është ashtu, nuk duhet faji të hidhet në atë se ne kemi kërkuar si prokurori dhe informata na është dhënë, por t’i ke kërkuar dhe kur ke marrë informatën se për ekspert neuropsikiatrik caktohet personi në fjalë, është dashur të legjitimohen këto të dhëna, të dihet se nëse plotësohen të gjitha kushtet formale. Kjo është pengesë shumë e madhe, por ka edhe pengesa tjera”,- deklaroi avokati i popullit, Ixhet Memeti. 
 
Sipas Memetit, vazhdon pasurimi i kundërligjshëm i shtetit me refuzimin e kërkesave të qytetarëve për tatimin e arkëtuar, dhe për këtë përgjegjëse është Drejtoria e të Ardhurave Publike.
 
“Këto lëshime jo vetëm që duhet të kritikohen, por edhe duhet të ndëshkohen. Punëtorë të tillë në Drejtorinë e të Hyrave Publike mendojnë se me mosarkëtimin e mjeteve i ndihmojnë shtetit, por nuk i ndihmojnë, sepse në procedurë gjyqësore palët do të fitojnë”,- tha avokati i popullit, Ixhet Memeti.
 
Memeti pret që ky raport të jetë bazë që Kuvendi të miratojë bazë për përmirësimin e dukurive të konstatuara negative.
 
FLUTURA LALATIFI