Ambasadori rus, Olleg Shçerbak: Dëbimi i diplomatit rus, vendim armiqësor

29.03.2018 15:25

Dëbimin e diplomatit rus nga Maqedonia, ambasadori rus në vend, Olleg Shçerbak...

Dëbimin e diplomatit rus nga Maqedonia, ambasadori rus në vend, Olleg Shçerbak, e konsideron si vendim armiqësor dhe jo mirë të menduar. Ai theksoi se Rusia në mënyrë adekuate do të përgjigjet ndaj masave të ndërmarra kundër përfaqësuesve të tyre diplomatikë.

“Me keqardhje të madhe vërejmë se disa shtete, mes të cilave edhe Qeveria e Maqedonisë, kanë marrë hapa të cilat janë armiqësore për Rusinë, i besojnë Londrës dhe në kurriz të interesave të shteteve të tyre dhe të marrëdhënieve bilaterale kanë sjellë vendim të përshpejtuar për dëbim të diplomatit tonë. Nuk kemi traditë të shpejtojmë në vendimet dhe në hapat tona. Në praktikën diplomatike, dëbim i një diplomati paraqet hap serioz dhe armiqësor. Dhe në kohë të duhur, ne do të kthejmë përgjigjen tonë, por kjo përgjigje do të jetë adekuate, mirë e menduar nga të gjitha palët”,- deklaroi ambasadori i Rusisë, Olleg Shçerbak.

NUK I MIRËPRESIM PËRPJEKJET E MAQEDONISË PËR NË NATO

Shçerbak gjithashtu komentoi edhe përpjekjet për anëtarësim të Maqedonisë në NATO. Sipas tij, me anëtarësimin e Maqedonisë në NATO  vendi do të bëhet pjesë e makinerisë ushtarake të aleancës dhe nëse ndodh agresioni i NATO-s kundër Rusisë, atëherë Rusia do të kundërpërgjigjet me sulme.

“Nuk mund t'i mirëpresim përpjekjet e Republikës së Maqedonisë për të hyrë në NATO dhe ta kthejnë atë në një territor për bazën e infrastrukturës ushtarake dhe ndoshta të trupave ushtarakë ofendues të kësaj aleance ushtarake. Përveç kësaj, ju duhet të mbani në mend se anëtarësimi juaj në NATO do të çojë në një kufizim të sovranitetit të vendit tuaj. NATO nga të gjitha shtetet anëtare kërkon dorëzimin, që do të thotë se Maqedonia do të duhet të mbështesë të gjitha veprimet anti-ruse”,- theksoi ambasadori i Rusisë, Olleg Shçerbak.

Në lidhje me Ligjin e gjuhës, ambasadori rus tha se veprimet e Shqipërisë zyrtare për Ligjin për gjuhët janë përzierje të Shqipërisë në punët e brendshme të Maqedonisë. Ai tha se kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ndëretnike duhet pasur shumë kujdes ngase janë tema shumë të nxehta dhe vendet duhet të përmbahen. (Ersan Pajaziti, TVM2)