Kotzias qëndroi për vizitë në Tiranë, negociata për paktin detar

29.03.2018 16:55

Negociatat me Greqinë për paktin detar dhe çështjet e tjera të mbetura pezull rrezikojnë të dështojnë....

Negociatat me Greqinë për paktin detar dhe çështjet e tjera të mbetura pezull rrezikojnë të dështojnë.

Për këtë arsye ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, ka mbërritur në një vizitë disaorëshe në Tiranë. Kotzias është pritur nga homologu shqiptar, Ditmir Bushati, në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme. Sipas mediave në Shqipëri, Kotzias i ka vënë kusht Bushatit para se të nisë takimi, që të mos i përmendet çështja çame.

“Nuk dua në takim asnjë fjalë për Çamërinë. Nëse më përmendet Çamëria, iki nga takimi”,- mësohet t’i ketë thënë Kotzias ministrit Bushati.

Në njoftimin zyrtar, Ministria e Jashtme deklaron se dy palët ranë dakord për hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren për avancimin e gjetjes së zgjidhjeve për çështjet e përbashkëta, por çështja çame nuk përmendet.

Ndërkohë, kryetari i Partisë për drejtësi, integrim dhe unitet, Shpëtim Idrize, në një reagim për mediat ka thënë se Bushati duhet të çohej nga tavolina në shenjë reagimi ndaj kërkesës së Kotziasit.

Për shkak të vështirësive në negociata, kryeministri, Aleksis Tsipras, anuloi vizitën në Shqipëri, të planifikuar në fillim të prillit.

Bushati dhe Kotzias kanë zhvilluar edhe dy takime të mëparshme në Kretë në nëntor 2017 dhe në Korçë, vetëm dy muaj më parë. (Luljeta Ndoka, TVM2)