Kuvend - pyetje deputetësh, Zaev: Rasti i Almirit, jo arsye për ndarje
“Rasti për Almirin e vogël nuk duhet që të jetë arsye për ndarje politike.....

“Rasti për Almirin e vogël nuk duhet që të jetë arsye për ndarje politike, etnike ose çfarëdo ndarje tjetër në shtet”,- tha kryeministri, Zoran Zaev, në seancën e rezervuar për pyetje deputetësh.
Ai shtoi se qeveria mbetet në qëndrimin se vendimet gjyqësore janë të pavarura dhe se nuk dëshiron të ndërhyjë në vendime të tilla, por, sipas tij, e rëndësishme është që të ketë vendime transparente dhe të qarta.
“Është shumë e rëndësishme që me opinionin të ndahen të gjitha detajet. Të gjitha palët e përfshira duhet të jenë të qarta, të zëshme dhe të kujdesshme, pasi dhimbja është e madhe tek të gjithë dhe besoj se për të gjitha rastet në Maqedoni, sidomos për raste të këtilla, duhet të ketë vendime të qarta dhe transparente, për të cilat nuk duhet të ketë dyshime”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
Deputeti i Lëvizjes “Besa”, Fadil Zendeli, hodhi dyshimet nëse eksperti i angazhuar për rastin në fjalë ka poseduar licencë apo jo. Nga Ministria e Drejtësisë thanë se do ta kontrollojnë një gjë të tillë, ndonëse sipas zëvendësministrit të Drejtësisë, Oliver Ristovskit, të gjithë ekspertët duhet të jenë të pajisur me licencë.
“Do të ishte në interes të jepet përgjigje se eksperti i angazhuar a ka pasur licencë valide në momentin kur ka dhënë një vlerësim të tillë në procedurën gjyqësore”,- theksoi Lëvizja “Besa”, Fadil Zendeli.
“Ministria e Drejtësisë është e obliguar që të mbajë evidencë për ekspertët dhe dhënien e licencave. Tani dëgjova emrin e ekspertit nga zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, dhe përgjigjen do ta merrni me shkrim”,- tha zëvendësministri i Drejtësisë, Oliver Ristovski.
Syrija Rushiti nga Aleanca për Shqiptarët kërkoi sqarime mbi procesin e reformave në drejtësi, apo, siç tha ai, përpjekjet në këtë drejtim ngelen vetëm shpresë.
Kryeministri, Zoran Zaev, në përgjigjen e tij tha se është i kënaqur me procesin e reformave në vend, duke përfshirë edhe reformat në gjyqësor. Ai shtoi se grupet punuese po punojnë në këtë drejtim, teksa shprehu besimin se ata do të krijojnë legjislacion serioz dhe do të zbatojnë reformat në gjyqësor.
Ndryshe, seanca e sotme e pyetjeve të deputetëve është mbajtur pa prezencën e deputetëve të VMRO-DPMNE-së. (Naim Ramadani, TVM2)
