Vjenë, nesër mbahet raundi i ri i bisedimeve për emrin
Të premten në Vjenë pritet të mbahet raundi i ri i bisedimeve ndërmjet shefit të Diplomacisë maqedonase, Nikolla Dimitrov, dhe atij grek, Nikos Kocijas...

Të premten në Vjenë pritet të mbahet raundi i ri i bisedimeve ndërmjet shefit të Diplomacisë maqedonase, Nikolla Dimitrov, dhe atij grek, Nikos Kocijas, me ndërmjetësim të diplomatit të OKB-së, Metju Nimic.
Kryeministri grek, Aleksis Cipras, inkurajon palën maqedonase të marrë vendime të rënda, por të domosdoshme për zgjidhjen e emrit, pasi për Shkupin kjo është çështje ekzistenciale. Cipras sqaroi edhe një herë se ndryshimi i Kushtetutës është parakusht për një zgjidhje të qëndrueshme.
“Ne jemi përcaktuar për një zgjidhje të qëndrueshme, afatgjate dhe jo një zgjidhje që rrezikon të prishet shumë shpejtë. Prandaj kemi vënë kusht ndryshimin e Kushtetutës së fqinjit. Nuk do të bëjmë atë që është në interes të partisë, por atë që është në interes nacional”,- deklaroi kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras.
Me ndërmjetësimin e diplomatit të OKB-së, Metju Nimic, palët duhet të negociojnë rreth pikave thelbësore të propozim-marrëveshjeve të shkëmbyera tashmë. Edhe përskaj dallimeve në qëndrimet e Shkupit e Athinës zyrtare, qeveritë e dy vendeve kanë shprehur gatishmëri për t’i dhënë fund këtij kontesti shumëvjeçar dhe optimizëm se do të arrijnë përparim pikërisht në raundin e nesërm të negociatave. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)
