Debat për kontrollin e punës së policisë, ekspertët: Мekanizëm për zbardhjen e rasteve

29.03.2018 19:52

Mekanizmi i jashtëm efikas për kontrolle të policisë është i domosdoshëm...

Mekanizmi i jashtëm efikas për kontrolle të policisë është i domosdoshëm, para së gjithash do të jetë i pavarur nga strukturat e MPB-së, por do të këtë kredibilitet të lartë në opinion, vlerësojnë ekspertët nga fusha e sigurisë, të cilët sot diskutuan në sesionin e parë të grupit punues të Konventës Nacionale të BE-së në Maqedoni. Krijimi i një mekanizmi ose organi të jashtëm për kontroll të punës së policisë do të luajë rol të rëndësishëm në zbardhjen e shumë rasteve kur nëpunësit policorë keqpërdorin detyrën e tyre.

“Mekanizmi i jashtëm ka kredibilitet më të lartë në sytë e opinionit kur hulumton raste ose ngjarje lidhur me keqpërdorimet e policisë dhe të cilat analiza ose hulumtime në mënyrë më reale do të prezantohen para opinionit. Mekanizmat e jashtëm janë më shumë të paanshëm, ndërsa procedurat dhe gjetjet janë më afër qytetarëve. Gjithashtu mekanizmat e jashtëm mund të forcojnë organizatën policore dhe integritetin e saj”,- deklaroi eksperti nga fusha e sigurisë, Tërpe Stojanovski.

“Nuk do të them asgjë të re nëse rikonstatoj se rruga e Maqedonisë për në Bruksel shkon përmes drejtësisë, Sot vetëm do të shtoja edhe përmes sigurisë. Vetëm si shtet i sigurt dhe i qeverisur mbi bazën e sundimit të ligjit, Maqedonia mund të llogarisë në anëtarësimin e ardhshëm europian”,- theksoi eksperti nga fusha e sigurisë, Blerim Reka.

Nga MPB deklarojnë se qëllimi është që të tejkalohen problemet kur janë bërë kontrolle të rrejshme të cilat nuk kanë pasur qëllim që të hetojnë dhe të dënojnë, por t’i mbrojnë policët të cilët kanë shkelur ligjin.

“Në planin aksional do të shënohen të gjitha hapat të cilat janë të patjetërsueshëm që të zbatohet ky mekanizëm ose ky institut. Njëherit paraqet mekanizëm dhe institut kompleks që përfshin ndryshimin e më shumë se 7 ligjeve, që nënkupton ndryshime të mëdha dhe strukturore në shumë organe të vendit”- u shpreh sekretarja shtetërore në MPB, Magdalena Nestorovska.

Në krijimin e mekanizmit në fjalë është paraparë të përfshihen përfaqësues nga ministri të ndryshme të vendit, sektori joqeveritar, gjykatës dhe prokurorë publikë. Aktualisht, propozim ligji për vendosjen e një mekanizmi të tillë për kontroll të nëpunësve të MPB-së është në fazën përgatitore. (Farije Dauti – Bakiju, TVM2)