Botë
Hakmarrja ruse, dëbohen 150 diplomatë perëndimorë
30.03.2018 09:30
Nuk ka vonuar hakmarrja e Rusisë, pas solidarizimit të Perëndimit me Britaninë e Madhe...

Nuk ka vonuar hakmarrja e Rusisë, pas solidarizimit të Perëndimit me Britaninë e Madhe, në dëbimin e diplomatëve rusë, si kundërpërgjigje për implikimin e Moskës në helmimin e një ish-spiuni në Mbretërinë e Bashkuar.
Rusia u kundërpërgjigjet me të njëjtën monedhë valës së dëbimeve nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate, duke urdhëruar largimin nga vendi të 150 diplomatëve, 60 prej tyre amerikanë, po aq sa dëboi Uashingtoni kur mbylli ditë më parë konsullatën ruse në Seattle.
Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavorv, tha se edhe për vendet e tjera u mor një vendim reciprociteti. SHBA-të dhe rreth 25 vende aleate, përfshirë edhe Maqedoninë dhe Shqipërinë, dëbuan mbi 130 diplomatë rusë, në një reagim në bllok ndaj helmimit të ish-agjentit të dyfishtë Sergei Skripal dhe vajzës së tij Julia e cila po përmirësohet. Hetuesit britanikë dolën në përfundimin se gazi nervor u ishte hedhur në derën e shtëpisë.
