Maqedoni
Deklarata e ambasadorit rus, Shekerinska: Përcaktimet strategjike Maqedonia i vendos vetë
30.03.2018 15:18
Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, e ka cilësuar si të pritshme deklaratën e ambasadorit rus në Maqedoni...

Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, e ka cilësuar si të pritshme deklaratën e ambasadorit rus në Maqedoni, edhe pse e ka cilësuar si jo të mirë, sidomos këshillën e ambasadorit Shçerbak drejtuar autoriteteve që të bëjnë kujdes, sepse anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të kufizonte sovranitetin e vendit. Maqedonia dëshiron të ketë marrëdhënie të mira me Rusinë, megjithatë, vendimet për përcaktimet strategjike të Maqedonisë janë vendime që u takon t’i marrin autoritetet në Maqedoni, thotë Shekerinska.
“Nuk përziemi në punët e të tjerëve, por dëshirojmë vendimet tona të jenë tonat. Në këtë mënyrë mbrohet sovraniteti, pavarësia dhe vetë shteti. Nga viti 1992, Maqedonia e ka shprehur konsensusin nacional për anëtarësim në NATO dhe BE”,- deklaroi ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.
Sa i përket zgjidhjes së kontestit me emrin, që pengon anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, Sheqerinska potencoi se vendi ynë ka qasje konstruktive dhe po jep kontributin e saj maksimal për një proces të suksesshëm.
“Ne investojmë për marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët, përfshirë edhe Greqinë. Maqedonia deri tani ka paguar një çmim të lartë nga vetoja greke e vitit 2008. Megjithatë, mendojmë se mësimi i dhjetë viteve të kaluara duhet të na ndihmojë të gjejmë zgjidhje dhe mendoj se Greqia do të përfitojë nga anëtarësimi ynë në NATO dhe BE, dhe si fqinjë të mirë duhet të japim mbështetje të ndërsjellë në momente të tilla”,- u shpreh ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.
Por për Sheqerinskën, marrëdhëniet e mira fqinjësore janë çështje që duhen zgjidhur pa marrë parasysh pjesën e anëtarësimit të vendit në NATO dhe BE.
FITORE DEMOLLI
