Botë

Ekstradimi i 6 shtetasve turq nga Kosova, Haradinaj shkarkon Sefajn dhe Gashin; Veseli: Krenohemi se nuk i deportuam çifutët

30.03.2018 16:14

Deportimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova në Turqi është realizuar pa dijeninë e tre udhëheqësve më të lartë të shtetit të Kosovës...

Deportimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova në Turqi është realizuar pa dijeninë e tre udhëheqësve më të lartë të shtetit të Kosovës, kryparlamentarit, kryeministrit dhe presidentit. Për shkak të këtij veprimi, kryeministri, Ramush Haradinaj, ka shkarkuar ministrin e brendshëm, Flamur Sefajn, dhe shefin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Driton Gashin.
 
“Një ministër që kam pasur dy takime me të, kam biseduar tema tjera të parëndësishme dhe nuk më ka tregu asgjë. Çka të bëj tjetër? Mund të marrim mësim edhe nga ky moment, kuptohet me pasoja, sepse pa pasoja nuk po ka mësime”,- deklaroi kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj. 
 
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se për arrestimin e mësuesve të kolegjit “Mehmet Akif” në Kosovë e ka mësuar nga familjarët e tyre.
 
“Ne të gjithë krenohemi dhe mundohemi t’i përmendim çdo ditë se nuk i kemi deportuar çifutët gjatë Luftës së Dytë Botërore. E çka bëmë tani, i kemi dorëzuar njerëzit që nuk e dimë se ku i kemi dorëzuar. Ne edhe mund ta deportojmë dikë dhe un i pranoj ato, por pak me dinjitet, jo me i marr si me i kidnapuar e nuk e dimë se si kanë me i trajtuar. Imagjinoni, me dal dikush prej tyre i pafajshëm, ku mbetet shteti i Kosovës? Imagjinoni nëse i mbysin, ku jetë shteti i pavarur i Kosovës?”,- theksoi kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. 
 
Partitë opozitare, LDK dhe Vetëvendosje, kërkuan përgjegjësi institucionale dhe personale për këtë rast, pasi vlerësuan se një veprim i tillë, mes tjerash, dëmton proceset integruese të vendit.
    
“Ne si grup parlamentar nuk do të pajtohemi me këtë situatë, ne do të kërkojmë përgjegjësi institucionale dhe personale për strukturat komanduese në këtë rast. Është mëse e qartë se për mënyrën se si janë zhvilluar ngjarjet, kryeministri i vendit nuk ka kontroll mbi qeverinë, policinë dhe institucionet tjera”,- tha Abdulla Hoti nga LDK.  
 
“Si është e mundur që aeroporti ynë i privatizuar nga turqit të shndërrohet në pistë të Erdoganit, të vijë këtu aeroplani shtetëror sekret për të cilin nuk di askush, e qytetarët me thes në kokë t’i kthejë prapa në Turqi. Si është e mundur të ndodh kjo? Në aspektin e integrimeve europiane kjo është e pariparueshme”,- theksoi Glauk Konjufca nga Vetëvendosje. 
                                       
Por, deputetja e Partisë Demokratike Turke në Kosovë, Myfera Sinik, tha se dëbimi i gjashtë shtetasve turq është bërë në mënyrë ligjore, derisa personat e deportuar i quajti terroristë të Fetos, të cilët mund ta dëmtojnë Kosovën. Po ashtu deputetja Sinik ka dënuar shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefajt, nga ana e kryeministrit Haradinaj. 
 
Ndërsa presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e ka mirëpritur deportimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova. “Së fundmi, Agjencia jonë Kombëtare e Inteligjencës, në bashkëpunim me Inteligjencën e Kosovës, kapën 6 përfaqësues të lartë të FETO-s në Ballkan, i sollën dhe ia dorëzuan organeve policore. Ne kemi thënë se ata do të ikin, kurse ne do t’i ndjekim dhe t’i sjellim këtu me lejen e Zotit, kudo që gjenden. Do të kërkojmë llogari”,- ka thënë Erdogan. 
 
Gjashtë personat e deportuar Turqia i kërkonte si anëtarë të Lëvizjesh FETO, organizatë të cilën e quan terroriste dhe e akuzon për grusht-shtetin e dështuar, koka e të cilit akuzohet të jetë Fetulla Gyleni, i cili ndodhet në ShBA. Por, me gjithë insistimin e Turqisë, ShBA-të deri tani kanë refuzuar ekstradimin e Gylenit në Turqi.
 
GYLTENE SINANI