Shoqata për disleksi “Ajnshtajn”: Disleksia prek 12,2% të nxënësve
Disleksia te fëmijët në vend evidentohet kryesisht në momentin e parë kur fëmijët nisin arsimimin....

Disleksia te fëmijët në vend evidentohet kryesisht në momentin e parë kur fëmijët nisin arsimimin.
Ajo manifestohet me mosnjohjen e numrave, shkronjave, apo simboleve pasi truri i tyre ndryshe e procesuon gjuhën e të folurit dhe të të shkruarit, përkatësisht e kanë të vështirë t’i shndërrojnë ato në fotografi reale, pasi truri nuk i pranon informacionet që i shohin sytë apo e dëgjojnë veshët, u tha në prezantimin e projektit “Politikat inkluzive arsimore për nxënësit me disleksi”.
Sipas ekspertëve, kjo shkakton përfshirjen e fëmijëve në probleme edhe më të mëdha sociale, duke i evidentuar ata si të zhurmshëm. Megjithatë, trajnerët e disleksisë këshillojnë se prindërit nuk duhet ta shohin këtë si një sëmundje apo një problem madhor, por si një vështirësi në procesin e mësimnxënies.
“Problemi i tyre paraqitet me fillimin e shkollimit, kur për herë të parë përballen me simbolet dydimensionale, e ato janë: numrat, shkronjat, shenjat e interpunksionit, që për ata nuk kanë domethënie, për shkak se nuk mund të paraqesin fotografi reale në të gjitha ato simbole, prandaj kur përballen me një fjalë duhet të realizojnë një aktivitet të fuqishëm të trurit që ato simbole të shndërrohen në fotografi, pasi truri i tyre atë e kërkon. Metoda e Ron Dejvisit është një program intensiv që zgjat vetëm pesë ditë dhe sjell rezultate fantastike te fëmijët”,- theksoi trajnerja Sllavica Tasevska Nikollovska.
“Sipas hulumtimit të bërë nga Shoqata për disleksi “Ajnshtajn”, nga 2500 nxënës të shkollave të mesme nga 16 shkolla të ndryshme, disleksia përfshin 12, 2% të nxënësve”,- theksoi Damjan Nikollovski nga Shoqata për disleksi “Ajnshtajn”.
Nga MASh thonë se përkrahin projektet të cilat mundësojnë arsim cilësor për fëmijët.
“Është shumë e nevojshme përkrahja profesionale nga kuadro, qofshin ato shërbime në shkolla, si: pedagogë, psikologë, logopedë etj, të cilët do të mund t’u ndihmojnë këtyre fëmijëve që sa më herët ta tejkalojnë këtë gjendje, do ta quaj, jo sëmundje, por gjendje që pastaj do të mund të kyçen në procese qoftë në tregun e punës apo në ngritjen e tyre profesionale”,- u shpreh këshilltarja në MASh, Nazihtere Sulejmani.
Në mbështetjen e këtyre fëmijëve është shumë e rëndësishme që fëmija të mos ndihet inferior dhe të mbështeten pikat e tyre të forta, këshillojnë ekspertët. (Gyltene Sinani, TVM2)
