Mançevski: 139.009 të punësuar në sektorin publik

30.03.2018 17:56

139.009 të punësuar peshon gjithsej sektori publik në Maqedoni...

139.009 të punësuar peshon gjithsej sektori publik në Maqedoni. Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës shpalli të dhënat zyrtare për vitin 2017, të cilat i kanë grumbulluar në bazë të analizave të kryqëzuara nga Ministria e Administratës, Ministria e Financave, Agjencia për Punësime dhe Fondi Pensional. Në 1.299 institucione punojnë gjithsej 128.722 persona, 8.633 punojnë në Shoqatat Aksionare në pronësi të shtetit, ndërsa 1.624 janë të punësuar përkohësisht përmes Agjencisë për Punësime.

“Kemi ulje të numrit të të punësuarve edhe në Agjencinë për Punësim të përkohshëm. Numri i përgjithshëm i sektorit publik është për 951 persona më i ulët se sa nga 31 dhjetori 2016. Për mendimit tim, pas disa dekadave kemi ulje pozitive të numrit të të punësuarve dhe kjo nuk ka të bëjë me mospunësimin e personave të rij, por se kërkesat për punësime bëhen kryekëput në bazë të nevojave të vërteta për punësime në këto institucione”,- deklaroi ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski.

Sipas profilit të të punësuarve, 54% janë gra, ndërsa 46% burra. Një pjesë e madhe e tyre janë në moshën prej 46 deri më 55 vjeç. 42.5% janë me arsim të lartë,  33% me shkollë të mesme, ndërsa vetëm 4.45 me magjistraturë. Mançevski thotë se ka mbingarkesë të të punësuarve, por nuk e di në cilat vende të punës, por nga ana tjetër është i bindur se ka deficit për vendet menaxhuese.

Sipas strukturës etnike, 75,36% janë maqedonas, 19,31 shqiptarë, 1.84 turq, romë 1.14 %, 0.91 serbë, boshnjakë 0,39 dhe vlleh 0,37.

Ministri Mançevski sqaroi se aktualisht po bëhen analiza në vijë horizontale dhe vertikale në të gjithë sektorin publik dhe pasi të dalin rezultatet përfundimtare, atëherë Ministria e Shoqërisë Informatike do të përgatisë planin për shpërndarjen e administratorëve tepricë në sektorin privat, gjë e cila është paraparë të ndodhë vitin e ardhshëm. (Rexhep Qamili, TVM2)