Dëshmitarët: I pamë të lodhur, thamë se janë protestues
Edhe sot ka vazhduar procesi gjyqësor në Gjykatën Penale në Shkup, kundër tetë protestuesve shqiptarë që më 4 korrik morën pjesë në protestat kundër dënimeve në rastin “Monstra”.......

Edhe sot ka vazhduar procesi gjyqësor në Gjykatën Penale në Shkup, kundër tetë protestuesve shqiptarë që më 4 korrik morën pjesë në protestat kundër dënimeve në rastin “Monstra”.
Në seancën e sotme gjyqësore, dy dëshmitarë të propozuar nga Prokuroria, njëherit edhe pjesëtarë të Shërbimeve Policore, të cilët kanë marrë pjesë në ruajtjen e rendit gjatë protestave, deklaruan se nuk i kanë parë të akuzuarit në turmën para barrikadës pranë Gjykatës Themelore 1 dh 2 në Shkup.
8 të akuzuarit janë arrestuar vetëm në bazë të simptomave të lodhjes që policët kanë vërejtur te ata, gjë që i ka çuar të mendojnë se të akuzuarit kanë mundur të jenë pjesëmarrës në turmë. Avokatët mbrojtës, thonë se deklaratat e dy dëshmitarëve lënë hapësirë për të kuptuar se të arrestuarit realisht nuk kanë qenë pjesëmarrës në turmë.
“Nga shkaqe të caktuara, erdhën vetëm dy dëshmitarë, asnjëri prej tyre nuk përcaktoi se i ka parë të akuzuarit në turmë duke gjuajtur me gurë dhe duke shkaktuar parregullsi. Për shkak të kushteve të pamjaftueshme në Gjykatë, sot nuk arritëm të shohim video incizimet. Dëshmitari jo që nuk është i sigurt, por që fare nuk e ka parë klientin tim”- deklaroi avokatja mbrojtëse, Tatjana Doneska.
“Dëshmitari i dytë, tha se ka pasur shumë njerëz dhe që nuk ka mundur të njohë dhe nuk e di me emër dhe mbiemër se cili është personi i arrestuar nga kolegët e tij”- theksoi avokati mbrojtës, Asmir Alispahiq.
Të akuzuarit në këtë rast, nga trupi gjykues kërkuan heqjen e masës së paraburgimit, për shkak të festës së “Fiter Bajramit”.
Seanca e radhës pritet të vazhdojë nesër, me dëshmitarë të tjerë të Prokurorisë dhe palës mbrojtëse. (Florije Kamberi, TVM2)
Foto: republika.mk
