Vjenë, bisedimet rreth emrit, Nimic: Ka avancim pozitiv; Dimitrov: Sa më afër zgjidhjes, më shumë vështirësi
Bisedimet për tejkalimin e kontestit rreth emrit po hyjnë në fazën delikate...

Bisedimet për tejkalimin e kontestit rreth emrit po hyjnë në fazën delikate. Takimi i Vjenës ka sjellë avancim në këtë proces, por mbeten edhe shumë vështirësi, të cilat duhet të tejkalohen.
Pas takimit në Vjenë, i cili zgjati afër shtatë orë, ndërmjetësuesi, Metju Nimic, u shpreh optimist dhe deklaroi avancim në këtë proces, duke shtuar se palët duhet të punojnë në tejkalimin e vështirësive të mbetura deri në takimet e radhës.
“Ka avancim pozitiv në bisedime, por ka vështirësi për tejkalimin e të cilave duhet punuar ende. Patëm takim të mirë diplomatik. Të dy vendet janë fokusuar për të ardhme më të mirë. Takimet do të vazhdojnë, por ka avancim. Të dy palët janë fokusuar në përforcimin e marrëdhënieve të ndërsjella”,- theksoi ndërmjetësuesi, Metju Nimic.
Shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov, konstatoi avancim të kushtëzuar. Sa më afër zgjidhjes aq më i vështirë është procesi, konsideron Dimitrov.
“Biseduam për të gjitha çështjet e hapura dhe mund të them se ka avancim të kushtëzuar, pasi ashtu siç po ecim përpara, afrohemi drejt çështjeve të vështira. Kemi punuar sipas logjikës, cila është më e rëndësishme për të dyja palët dhe a mund të mbulojmë të dy anët, por po habitemi se sa më afër zgjidhjes të jemi, ka më shumë vështirësi”,- theksoi ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov.
Ky raund negociatash u zhvillua pas shkëmbimit të propozim-marrëveshjeve mes palëve në kontest të cilat i janë prezantuar edhe ndërmjetësit, Nimic. Sipas mediave greke, fillimisht Nimic ka prezantuar një formë juridike, me vende të zbrazëta për çështjet kontestuese.
Ndërkaq mediat austriake, lakojnë dy propozime si më serioze për tejkalimin e kontestit përkatësisht, propozimin “Republika Gornamakedonija” dhe “Republika Severnamakedonija”. Mirëpo, propozimet për emër të përbërë që do të shkruhej pa u ndarë dhe pa u përkthyer u hodhën poshtë paraprakisht nga pala maqedonase. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
