Tetovë, Bekim Memeti zgjidhet kryetar i Këshillit
Me 18 vota “pro”, asnjë “kundër” dhe nëntë “të përmbajtura”, këshilltari i BDI-së, Bekim Memeti....

Me 18 vota “pro”, asnjë “kundër” dhe nëntë “të përmbajtura”, këshilltari i BDI-së, Bekim Memeti, u zgjosh kryetar i këshillit në komunën e Tetovës, me çka u tejkalua ngërçi politik në Këshillin komunal.
Pas zgjedhjes si kryetar i këshillit, Memeti u shpreh se kjo u arrit pas një kohe të gjatë, me koordinimin e grupeve tjera politike.
“Pas një kohe shumë të gjatë, ne arritëm që, së bashku me koordinatorët e grupeve tjera politike, të koordinohemi për pikat e sotme të rendit të ditës, siç e patë edhe ju, në rend dite kishim 20 pika të rendit të ditës dhe në fund ishte edhe zgjedhja e kryetarit të këshillit. Ka qenë një kohë e gjatë, mirëpo sot këshilltarët votuan atë që u desh të votohet edhe më herët”,- deklaroi kryetari i Këshillit komunal në Tetovë, Bekim Memeti.
Memetin e votuan edhe dy këshilltarë të Lëvizjes BESA, një i Partisë turke dhe tre të PDSh-së dhe LSDM-së. Moszgjedhja e kryesuesit të Këshillit në komunën e Tetovës do të çonte në zgjedhjet e reja për këshilltar komunal.
Këshilli i Tetovës po ashtu miratoi edhe buxhetet e ndërmarrjeve publike që janë në kuadër të komunës së Tetovës, dhe programin e tyre për vitin 2018. (Visar Sadiki, TVM2)
