Këshilli agronomik, masa të reja për zhvillimin e blegtorisë
Viteve të fundit, me gjithë ndarjen e shumave të mëdha për fermerët në formën e subvencioneve...

Viteve të fundit, me gjithë ndarjen e shumave të mëdha për fermerët në formën e subvencioneve, kanë mbetur edhe disa degë të blegtorisë, të cilave u nevojitet t’u përkushtohemi edhe më tej, tha kryeministri, Zoran Zaev, duke shpalosur vendimet e Këshillit agronomik.
Në seancën e parë konstituive të Komitetit për bujqësi dhe siguri të ushqimit, u soll vendim për mbështetje më të madhe për blegtorinë, nevojë për miratimin e një ligji për përdorimin e reduktuar të pesticideve, decentralizim i shpërndarjes së tokës bujqësore më 1 janar 2019 dhe përgatitje e një strategjie për sigurimin e prodhimit bujqësor.
“Më shumë vëmendje duhet të bëjmë te prodhuesit e qumështit dhe blegtorisë, kjo ishte një ndër pikat e rendit të ditës. Pika e parë e seancës ishte gjendja e blegtorisë dhe masat të cilat duhet të ndërmerren për të stabilizuar gjendjen e kësaj prodhimtarie, nëpërmjet të cilës jetojnë një numër i madh i familjeve në Maqedoni”,- deklaroi kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.
Ministri i Bujqësisë paralajmëroi se në fillim do të rregullohet gjendja me tokën bujqësore, sepse është vërtetuar se 15.000 hektarë tokë ose nuk janë dhënë nën koncesion ose kanë qenë të uzurpuara.
“Në lidhje me decentralizmin, është paraparë që komunat të ofrojnë tokë apo sipërfaqe të lira për dhënie me qira dhe t’i vënë në posedim, me çka do të hapej mundësia që kërkesat për subvencion të dërgohen aty, në vend se nëpër zyrat rajonale të Ministrisë. Kjo praktikisht do të thotë që fermerët nga Likova, në vend të njësive rajonale në komunën e Kumanovës, do të jenë në gjendje të dorëzojnë aplikimet për subvencione në Likovë. Duke vepruar kështu, shërbimet e Ministrisë do të jenë më afër fermerëve”,- theksoi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Lupço Nikollovski.
Në ftesën publike për dhënien e tokës bujqësore u premtua se përparësi do t'u jepet blegtorëve të cilët mbjellin tokën për prodhim të ushqimit për kafshët. (Farije Dauti-Bakiju, TVM2)
