Rusia dëbon diplomatët e vendeve perëndimore
Rusia urdhëroi dëbimin e më shumë diplomatëve nga vendet perëndimore....

Rusia urdhëroi dëbimin e më shumë diplomatëve nga vendet perëndimore, në përgjigje të dëbimit të diplomatëve të saj, për shkak të helmimit të një ish-spiuni rus në Mbretërinë e Bashkuar.
Masat hakmarrëse vijnë një ditë pasi Rusia ka dëbuar 60 diplomatë amerikanë dhe ka mbyllur Konsullatën amerikane në Shën Petersburg.
Të premten, Moska e udhëzoi ambasadorin britanik që të kërkojë nga Mbretëria e Bashkuar të reduktojë stafin e saj diplomatik në Rusi aq sa është prania ruse në Britani. Të dyja vendet tashmë kanë dëbuar nga 23 diplomatë. Moska ka urdhëruar edhe mbylljen e Këshillit Britanik.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha të enjten se bota rrezikon "të vijë në një situatë të ngjashme me kohën e Luftës së Ftohtë".
29 vende, përfshi Maqedoninë dhe Shqipërinë, kanë dëbuar 145 zyrtarë rusë në solidaritet me Mbretërinë e Bashkuar. NATO-ja po ashtu ka urdhëruar largimin e 10 rusëve nga misioni i saj në Belgjikë.
