Avioni, rebelët dorëzojnë kutitë e zeza
Separatistët pro-rusë, në lindje të Ukrainës i kanë dorëzuar kutitë e zeza të avionit “Boeing 777” ekspertëve malajzianë........

Separatistët pro-rusë, në lindje të Ukrainës i kanë dorëzuar kutitë e zeza të avionit “Boeing 777” ekspertëve malajzianë. Dorëzimi është bërë në qytetin e Donjetskut, nga një udhëheqës i lartë i rebelëve.
“Ja ku janë kutitë e zeza. U kërkova Republikës Popullore të Donjetskut dhe Malajzisë të nënshkruajnë protokollin”- deklaroi lideri i separatistëve pro-rusë, Aleksander Borodai.
“Dua të shfaq mirënjohjen e sinqertë për zotin Borodai, që na dha mundësinë dhe pranoi kërkesën tonë drejtuar atij personalisht, për të dorëzuar autoriteteve malajziane 2 kutitë e zeza. Ato janë tashmë pronë e Malajzisë”- theksoi përfaqësuesi i Malajzisë, Mohamed Sakri.
Ky veprim i separatistëve, erdhi vetëm pak orë pasi Këshilli i Sigurimit të OKB-së, votoi unanimisht që të lejoheshin ndërkombëtarët të kryenin hetime në vendin e rënies së avionit.
Ekspertët, thonë se me anë të të dhënave të ruajtura në kutitë e zeza, do të zbulohet koha e saktë e incidentit, si edhe pozicioni i avionit. Ata shtuan gjithashtu se kutitë janë të pajisura edhe me regjistrues audio, nga ku mund të dilet në përfundimin për shkakun e rrëzimit të avionit.
Më herët, pro-rusët lejuan transportin e trupave të 282 pasagjerëve.
Ekspertët holandez dhe ata malajzianë, udhëtuan me tren në qytetin e Karkiv-it.
Avioni “Boeing 777” me 298 persona në bord, u rrëzua më 17 korrik në lindje të Ukrainës.
Shtetet perëndimore, thonë se kanë prova se fluturimi “MH17” është goditur nga një raketë ruse, e cila është qëlluar nga separatistët. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
