GAZA

Gaza, rriten përpjekjet diplomatike

22.07.2014 15:16

Përpjekjet diplomatike për ndërmjetësimin e një armëpushimi në Gaza, janë intensifikuar.......

Përpjekjet diplomatike për ndërmjetësimin e një armëpushimi në Gaza, janë intensifikuar.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, është takuar me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, në Kajro.

Ky i fundit kërkoi ndalimin e menjëhershëm të raketave nga Hamasi, duke përkujtuar se nga ky konflikt i ri, më shumë po pësojnë palestinezët. 

“Unë e kuptoj plotësisht dhe më vjen keq për vuajtjet e popullit palestinez, veçanërisht në Gaza. Por, njerëzit nuk duhet të përdorin dhunën si mënyrë për të shprehur ankesat e tyre. Në të njëjtën kohë, unë e vlerësoj plotësisht të drejtën legjitime për të mbrojtur vendin edhe të qytetarëve të Izraelit. Izraeli duhet të jetë në gjendje të jetojë në paqe dhe siguri, por pa rrezikuar jetën e qytetarëve të tij. Por, është fakt se shumica e viktimave janë palestinezë. Është koha t’i japim fund dhunës, është koha Hamasi të ndërpresë raketimet”- deklaroi sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon.

Edhe sekretari amerikan, Kerry, deklaroi se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për viktimat palestinezë edhe pse shprehu mbështetjen për operacionet ushtarake të Izraelit, të cilat i vlerësoi si “të përshtatshme dhe legjitime”.

"Ne jemi të dy këtu, për të ndihmuar zbatimin e  iniciativës egjiptiane për armëpushim. Izraeli e ka pranuar këtë propozim-armëpushimi dhe tani i takon Hamasit të marrë vendim për të kursyer nga dhuna civilët e pafajshëm. Kam biseduar me kryeministrin Netanyahu, Izraeli padyshim që do të mbrojë veten, por ai e ndjen thellë, ashtu si të gjithë, presionet që kjo gjendje shkakton te civilët. Por edhe Izraeli ka humbur shumë ushtarë në mbrojtje të vendit. Është e rëndësishme për të gjithë ne, që të përpiqemi të bëjmë çdo gjë të mundshme. Hamasi tani ka një vendim. Ne shpresojmë se do të marrë vendimin e duhur”- theksoi sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry.

Konflikti 2 javor, ka lënë rreth 600 palestinezë dhe 29 izraelitë të vdekur.

Në orët e para të së martës, Izraeli njoftoi se dy anëtarë të tjerë të Forcave Mbrojtëse ishin vrarë, duke e çuar numrin e ushtarëve të vrarë në luftime në 27. Dy civilë kanë vdekur gjithashtu.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë në Gaza, njoftoi se 13 persona janë vrarë që prej mesnatës, duke e çuar bilancin e viktimave palestineze në 584, që kur Izraeli nisi operacionet ushtarake. I njëjti dikaster deklaroi gjithashtu se 3.640 persona të tjerë janë plagosur.

Ndërkohë, ministrat e Jashtëm të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, e kanë lëshuar një deklaratë, përmes së cilës e dënojnë dhunën anti-semitike gjatë protestave të fundit. “Retorika anti-semitike dhe dhuna kundër hebrenjve, sulmet kundër personave që i përkasin besimit hebre dhe sinagogave, nuk kanë vend në shoqëritë tona”- thuhet në të. Deklarata është bërë pas protestave të dhunshme në disa pjesë të Francës, më 19 dhe 20 korrik, gjatë së cilës dyqanet që janë pronë e hebrenjve, janë vandalizuar.

Në Gjermani, demonstruesit bënë thirrje anti-semite se “hebrenjtë duhet të vriten me gaz”.

Një imam në një xhami të Berlinit, dyshohet se gjatë një ligjëratë më 17 korrik, ka thënë se të gjithë hebrenjtë duhet të vriten. Akuza është duke u hetuar. (Migena Gorenca, TVM2)