Maqedoni
1 prilli dita e gënjeshtrave të lejuara për të gjithë
01.04.2018 18:52
Dita e gënjeshtrave dhe shakave , nga ato pa zarar, deri tek shakatë që bëjnë dikë edhe të qajë. Ky është 1 prilli...

Askush nuk e di si filloi gënjeshtra e parë në ditën të cilën romakët e festonin si dita e perëndeshës Venus. Disa thonë se ishte mbreti francez Karli IX, që kur reformoi kalendarin gregorian në 1564, e kaloi në datën 1 janar festën e Vitit të Ri, që deri atëherë festohej më 1 prill.
Shumë njerëz nuk e dinin këtë fakt dhe uronin vitin e ri më 1 prill, duke u tallur nga të tjerët.
Të tjerë e lidhin me vendimin e parlamentit të Augsburgut më 1530, që vendosi të unifikojë më 1 prill të gjithë sistemin monetar.
Kjo datë u shty , shumë vetë humbën paratë e tyre dhe u tallën nga të tjerët sepse nxituan të investonin.
Por ky është spjegimi serioz historik I festës, sepse në fakt 1 prilli lidhet me gënjeshtrat që njerëzit ia bëjnë njëri tjetrit.
Në të kaluarën kishte rregulla të qarta, të rriturit mund të tallnin fëmijët por fëmijët asesi nuk i tallnin dot të rriturit.
Dhe gënjeshtrat dhe shakatë ishin shumë serioze, dërgoheshin madje njerëzit me kilometra larg në kërkim të dickaje që nuk ekzistonte.
Sot gënjeshtrat janë sa për të shënuar festën. Të është rritur hunda, të ra shamia, gjëra të tilla, pa asnjë zarar e që thuhen zakonisht nga fëmijët
“Kauboj—Për pare
Bubamar jam bo
Flutër—Është rrëzu vllau jem
Kllovn—Është kall shpia
Flash”, shprehen femijet.
Në lojën e gënjeshtrave të 1 prillit ka kohë që kanë hyrë dhe mediat . E filloi seriozja BBC më 1 prill 1957, kur publikoi një kronikë sipas së cilës fshatarët zviceranë korrnin makarona nga pema.
Për pak kohë u besua, derisa BBC iu kujtoi të gjithëve se është 1 prill, dita kur gënjeshtra është e lejuar edhe për mediat serioze. Po sot, sa gënjejnë mediat dhe a gënjejnë vetëm për një prill?
“Au, shumë! nuk rrejnë shumë, mvaret qka tregojnë. Dikush tregon të vërtetën dikush më shumë sec duhet, sidomos portalet e facebook gënjejne shumë, a sa për lajme, më pak”...
"Po rrejnë mediat po skemi kohë me pa, prej në punë në shpi dhe skemi kohë”...
“Mendoj se gënjejnë shumë, sidomos portalet”...
“Po mediat pjesërisht kur nuk ka lajme për politikë”, shprehen qytetaret.
Por cilët në fakt mbajnë rekordin e gënjeshtrave, edhe jashtë një prillit, ja cfarë mendojnë qytetarët e anketuar nga TVM 2.
“Po normal që politikanët. Edhe ata që janë në opozitë, edhe ata në pushtet, e bëjmë këtë atë, e në fund kot e kot”...
“Njerëzia sodit rrejnë, po politikanët më shumë se na”...
“Politikanët zën vendin e parë për gënjeshtra”...
“Politikanët e kanë profesion gënjeshtrën”, shprehen qytetaret.
Në jetë të gjithë gënjejmë nga pak, varet nga situata. Ndonjeherë është ndoshta qef të gënjeni dikë, e nuk ka problem për sa kohë që kjo gënjeshtër bëhet vetëm në ditën e gënjeshtrave, më 1 prill. Jashtë kësaj dite, gënjeshtari quhet vetëm mashtrues I rëndomtë.
FJOLLA TELAI
