Moska akuzon Perëndimin: Po përpiqet të ndalojë Kupën e Botës në Rusi

02.04.2018 12:01

Rusia ka akuzuar Perëndimin se po tenton t’i ndalojë organizimin e Kampionatit Botëror të Futbollit...

Rusia ka akuzuar Perëndimin se po tenton t’i ndalojë organizimin e Kampionatit Botëror të Futbollit duke përdorur rastin e helmimit të ish-spiunit Skripal në Britani. Londra ka njoftuar se në Kupën e Botës nuk do të marrë pjesë asnjë zyrtar i Mbretërisë së Bashkuar dhe as familja mbretërore.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova ka akuzuar Britaninë e Madhe dhe SHBA-të se kërkojnë të ndalojnë vendin e saj në organizimin e Kupës së Botës këtë verë. Ajo tha se “qëllimi kryesor” i tyre është ta “marrin Kupën e Botës jashtë Rusisë”.

Britania e Madhe ka kërkuar të ndëshkojë Rusinë pasi e akuzon atë se qëndron prapa një sulmi me substancë kimike ndaj ish-spiunit Sergej Skripal dhe të bijës Yulia.

Nga ana tjetër Moska mohon çdo përfshirje. Shumë diplomatë janë dëbuar nga të dy anët në mosmarrëveshjen për helmimin e ish-spiunit rus në Salisbury më 4 Mars. Në masën më të fundit, rreth 170 diplomatë rusë dhe anëtarët e tyre të familjes u larguan nga Uashingtoni.

Në të njëjtën kohë, flamuri amerikan në konsullatën amerikane në Shën Petersburg u hoq pas udhëzimit të qeverisë ruse për ta mbyllur atë.