Maqedoni

“Titanik” shtyhet për më 12 prill, të pandehurit kërkojnë më shumë kohë

02.04.2018 15:47

Gjykimi për rastin “Titanik” është shtyrë për më 12 prill me kërkesë të palës mbrojtëse, duke u arsyetuar se kanë nevojë më shumë kohë për të inspektuar provat...

PPS kundërshtoi kërkesën e palës mbrojtëse me motivin se kërkesa ka të bëjë vetëm me zvarritjen e  procesit. Ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, konsideron se gjykata është nën trysni dhe se qëllimi është që të shpërqendrohet opinioni nga zhvillimet politike.
 
“Sot mu tha se kam vetëm një ditë kohë edhe atë jo të tërën, por vetëm tre orë që t’i lexoj dhjetëra mijëra faqe të cilat i ka dërguar PPS, nga të cilat pjesa më e madhe konsideroj se janë jorelevante, por duhet lexuar patjetër që të dihet çka ka në to. Gjykatësi nuk kishte përgjigje dhe tha se ky ishte vendimi i tij pa dhënë argumente, sepse qartë është nën presion që në këtë periudhë të flitet për këtë rast në vend që të flitet për temat kyçe në shtet”,- deklaroi i akuzuari, Nikolla Gruevski.
 
I pyetur për ngjarjet e 27 prillit, Gruevski mohoi të ketë dëshmi, ndërsa për sigurimin e tij tha se atë ditë ka biseduar vetëm me familjen e tij.
 
“Të kishte “D” nga dëshmitë kundër meje un nuk do të isha këtu, që do të thotë se ata që i kanë arrestuar janë fajtorë. Unë kam biseduar me anëtarin e sigurimit tim dhe kur e pyeta a ka zhvilluar ndonjë bisedë më tha se si çdokush që shkon për udhëtime jashtë vendit, ka zhvilluar biseda familjare me bashkëshorten dhe vëllanë e tij”,- u shpreh i akuzuari, Nikolla Gruevski.
 
Lënda “Titanik” është rasti i parë që e zbuloi PPS. Nikolla Gruevski, Gordana Jankullovska, Mile Janakieski, Martin Protugjer, Kiril Bozhinovski dhe 16 të tjerë janë të dyshuar nga PPS për bashkëpunim kriminal, shkelje të së drejtës së votës, shkelje të lirisë së përcaktimit të votuesve, ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit, asgjësimin e materialit zgjedhor dhe keqpërdorimin e mjeteve për financimin e fushatës zgjedhore në vitin 2012.
 
NAIM RAMADANI