Maqedoni
Aktivitete në Tetovë në Ditën e Autizmit, me moton “Autizmi -pranim, përkrahje”
02.04.2018 16:11
Personat që janë të prekur nga autizmi nuk priten mirë nga bashkëmoshatarët e tyre...

Personat që janë të prekur nga autizmi nuk priten mirë nga bashkëmoshatarët e tyre, sepse ata nuk kanë njohuri të mjaftueshme për autizmin, shprehet psikologja, Halime Rustemi. Sipas saj, në shkollat e Tetovës ka mungesë të psikologëve dhe mungesë të infrastrukturës nëpër shkolla për personat që vuajnë nga autizmi.
“Çdo shkollë, në Tetovë flas, nuk ka psikolog, dhe si trajtohen e si pranohen shumica, më vjen keq të them, keqkuptohen, anashkalohen ose nuk pranohen nga prindërit tjerë që kanë fëmijë tipikë, d.m.th. se fëmija im do të imitojë sjellje të tilla dhe ne prandaj luftojmë që të sensibilizojmë popullatën që këto vështirësi t’i kalojmë më lehtë dhe të kuptojmë se çfarë është autizmi dhe cilat janë simptomat e atyre personave që vuajnë nga autizmi”,- deklaroi psikologja nga shoqata për autizëm “Ura Blu’’, Halime Rustemi.
Edhe personat që vuajnë nga autizmi janë pjesë e shoqëri sonë, shprehet Syëndrra Memeti nga Shoqata e autizimit “Ura Blu”.
“Ne sot jemi mbledhur këtu për të kujtuar Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit të Autizmit, një ndër qëllimet kryesore të shoqatës sonë është informimi i shoqërisë rreth asaj se çfarë është autizmi, kështu duke e njohur atë do të arrijmë deri te pranimi i autizmit, si dhe krijimi i një shoqërie sa më inklusive, ku secili prej nesh do të trajtohet si i barabartë, pavarësisht trajtimeve tona”,- theksoi Syëndrra Mehmeti nga Shoqata e Autizmit “Ura Blu’’.
Në Ditën Botërore të Autizmit, në sheshin “Ilira” në Tetovë, në një pëlhurë të bardhë 12 metërshe është shkruar edhe motoja e këtij viti “Autizmi – pranim, përkrahje”. Në këtë aktivitet edhe nxënësit e shkollave fillore që ishin prezentë në shesh patën mundësi të shkruajnë fjalë përkrahëse për personat që janë të prekur nga autizmi.
VISAR SADIKI
