Maqedoni
Mickovski: VMRO-DPMNE do të kthehet në Kuvend
02.04.2018 18:36
VMRO-DPMNE në mbledhjen e Komitetin Ekzekutiv dhe Komitetit Qendror partiak vendosi që deputetët e saj t’u kthehen punimeve kuvendore....

Këtë e bëri të ditur kreu i kësaj partie, Hristijan Micloski, sipas të cilit deputetët e partisë së tij do të marrin pjesë në punën e parlamentit dhe do të luftojnë për çdo masë në favor të qytetarëve dhe kundër çdo hapi të dëmshëm për qytetarët. Por, kreu i opozitës, Mickoski, bëri të ditur se deputetët e partisë së tij kthehen në Kuvend me interpelancë për punën e Qeverisë, të cilën ai e quajti si qeverinë më të pasuksesshme që nga pavarësia e Maqedonisë.
“Hapi i parë i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së do të jetë nisma për votimin e mosbesimit të Qeverisë, pasi nga ajo që kemi parë deri më tani bëhet fjalë për Qeveri me humbje të kredibilitetit, Qeveri e cila nuk punon për qytetarët dhe që po e fut vendin në humnerë. Deputetët e VMRO-së në detaje do të argumentojnë këtë qëndrim lidhur me Qeverinë arrogante dhe anti-shtetërore që duhet të shkojë sa më parë. Sa më shpejt, aq më mirë për shtetin. Kjo Qeveri do të mbetet në kujtesë si Qeveria më e paaftë që nga pavarësia e Maqedonisë”,- theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Kryeministri, Zoran Zaev, nga ana tjetër e përshëndeti vendimin e opozitës për t’u kthyer në Kuvend. Sipas tij, dialogu me opozitën po lëviz në një drejtim të mirë dhe kjo është gjë e mirë për demokracinë e vendit.
“E përshëndes vendimin e opozitës për t’u kthyer në Kuvend, ashtu do të kemi kuvend fuksional dhe demokraci funksionale. Ky është minimumi që e presin qytetarët e Maqedonisë. Dialogu me opozitën po shkon në drejtimin e duhur. Grupet e punës po punojnë dhe një pjesë e zgjidhjeve ligjore janë harmonizuar nëse jo edhe tërësisht. Kjo do të thotë se deri më 17 prill kur përpilohet raporti për Maqedoninë, t’i miratojmë zgjidhjet ligjore në Kuvend. Kryetari i Kuvendit më ka njoftuar se planifikon më 10 prill seancë të re, ku në rend dite do të jenë edhe zgjidhjet ligjore të pakos “3-6-9””,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
I pyetur për paralajmërimet e opozitës për interpelancë të Qeverisë dhe se kërkesa e tyre të vihet në rend dite para seancës për ligjet reformatore, Zaev tha se beson se do të gjendet kohë edhe për opozitën edhe për reformat. Ai gjithashtu tha së është duke biseduar edhe me deputetë të tjerë për të zgjeruar shumicën parlamentare, e cila do të ndikojë në stabilitetin e shumicës parlamentare dhe politikave të qeverisë në kohën kur pritet zgjidhje për çështjen e emrin dhe datë për fillimin e bisedimeve në BE-në dhe ftesë nga NATO-ja.
Ndryshe, pas koordinimit me krerët e grupeve parlamentare, ku përsëri ka munguar përfaqësuesi i VMRO-DPMNE-së, kryeparlamentari, Talat Xhaferi, ka vendosur që seanca kuvendore, në të cilën në rend dite do të jenë ligjet reformuese, do të mbahet më 10 ose 11 prill.
GAZMEND KURTESHI
