Maqedoni
Emri, Zaev paralajmëron takim liderësh, VMRO kundër
02.04.2018 18:42
Dështoi nisma për takim liderësh ku shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov, duhet të raportojë për rrethin e fundit të bisedimeve rreth çështjes së emrit, që u mbajt në Vjenë...

Sipas kryeministrit, Zoran Zaev, takimi nuk është realizuar për shkak të agjendave të ndryshme të kreut shtetëror dhe krerëve të partive politike. Prandaj, sipas tij, takim i liderëve pritet të mbahet pas Festës së Pashkëve. Megjithatë, kjo nuk e ka penguar ministrin Dimitrov që të fillojë raportimin në takimi dypalëshe. Pas takimit me kryeministrin, ky i fundit u shpreh optimist. Zaev beson se progresi i arritur tani çon drejt zgjidhjes përfundimtare.
“Kam njohuri për të gjitha detajet dhe më vjen mirë që mund të konfirmoj se kemi hap pozitiv në bisedime. Gjithsesi, është vetëm një hap. Kushtëzimi në bisedime d.m.th. se do të ketë marrëveshje edhe për ato çështje për të cilat tani është shënuar hap përpara, pra kur do të dakordohej çdo gjë. Një gjë e tillë jep mundësi që përmes një mënyre të hapur të dy ministrat në mënyrë të hapur dhe miqësore të bisedojnë për çdo segment të çështjeve të ndjeshme në mënyrë që problemi i emrit të zgjidhet përfundimisht. Nëse më pyesni nëse jam më shumë apo më pak optimist dhe pozitiv, unë jam më pozitiv dhe më optimist pas këtij takimi që Dimitrov kishte me Kocijasin”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
VMRO-DPMNE-ja hodhi poshtë mundësitë për çfarëdolloj takimi, edhe pse Zaev tha se takimi është shtyrë pas Pashkëve me kërkesë të opozitës.
“VMRO-DPMNE-ja e njofton opinionin se nuk do të ketë takim të liderëve apo çfarëdo takimi tjetër lidhur me rrjedhën e bisedimeve për problemin që Republika e Greqisë e ka me emrin tonë kushtetues”, – thuhet në njoftimin e VMRO-DPMNE-së.
Edhe kryediplomati grek, Nikos Kocijas, ka filluar takimet e ndara me liderët politikë në Greqi për të raportuar për rrethin e fundit të bisedimeve. Fillimisht ka njoftuar përfaqësuesit e Partisë Komuniste.
Kreu i Demokracisë së Re, Kirjakos Micotakis, ka refuzuar takim me kryediplomatin grek, Kocias, dhe ka kërkuar që për bisedimet ta njoftojë vetë kryeministri. Takimet me partitë e tjera janë paralajmëruar për të martën.
SHPËTIM NUREDINI
