Botë

Tiranë, tetë të akuzuar për protesta të paligjshme

02.04.2018 19:16

Tetë persona që protestuan para Policisë së Tiranë për të arrestuarit në Kukës janë proceduar nga uniformat blu të kryeqytetit...

Ata akuzohen për protestë të paligjshme. Deputetët e PD-së që tentuan të hyjnë me forcë në polici, nuk janë proceduar. Policia e Tiranës bën me dije se tetë personat akuzohen se kanë protestuar në mënyrë të paligjshme për disa të arrestuarit në Kukës. Protestuesit e proceduar janë të moshës 30-46 vjeç, ndërkohë që Policia thotë se nuk ka ngritur akuzë ndaj deputetëve të opozitës, Klevis Balliut, Gent Strazimirit dhe Floida Kerpacit.
 
Ndërkohë edhe ditën e hënë me dhjetëra protestues janë mbledhur para Policisë së Tiranës. Ata kanë kërkuar lirimin e të arrestuarve në Kukës dhe për një orë kanë bllokuar edhe rrugën pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranë, duke mos lejuar lëvizjen e automjeteve. Pavarësisht se uniformat blu kërkuan disa herë largimin e tyre nga rruga, protestuesit nuk kanë pranuar.
Ditën e nesërme pritet që 23 protestuesit që dhunuan sportelet në “Rrugën e kombit” të dalin para gjykatës.
 
LULJETA NDOKA