K.H.: 128 incidente në baza etnike brenda një viti

22.07.2014 16:11

Gjatë këtij viti, Komiteti i Helsinkit ka regjistruar gjithsej 175 raste të krimit të nxitur nga urrejtja. Mbi 60 % e tyre, 128 raste janë incidente me bazë urrejtjen ndëretnike.........

Përkeqësimi i marrëdhënieve ndëretnike edhe më tej vazhdon të jetë sfidë për organet e MPB-së dhe institucionet e drejtësisë në vend.

Gjatë këtij viti, Komiteti i Helsinkit ka regjistruar gjithsej 175 raste të krimit të nxitur nga urrejtja. Mbi 60 % e tyre, 128 raste janë incidente me bazë urrejtjen ndëretnike.

Sipas raportit të Komitetit të Helsinkit, qyteti më i prekur  nga acarimi i marrëdhënieve ndëretnike është Shkupi, veçanërisht  lagjet Aerodrom, Çair dhe Qendër, me rreth 72% të rasteve. Vetëm gjatë 2 muajve të fundit, janë regjistruar 28 raste të urrejtjes etnike, por edhe politike.

Në platformën e Komitetit të Helsinkit, janë regjistruar 175 raste dhe incidente të nxitura nga urrejtja. Madje 128 prej tyre kanë motive etnike. Rastet e fundit të lidhura me rastin “Monstra” edhe një herë e vërtetuan se si janë marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni. Viktimat e këtyre rasteve, shumica janë pjesëtarë të të dy grupeve më të mëdha etnike, asaj maqedonase dhe shqiptare dhe në të shumtën e rasteve janë të mitur. I bëj thirrje Shtetit, që të marrë masa për ta frenuar dhunën e tillë në të ardhshmen”- deklaroi drejtoresha e Komitetit të Helsinkit, Uranija Pirovska.

Sipas raportit të Komitetit të Helsinkit, shumica e incidenteve kanë ndodhur nëpër autobusë, terrene sportive dhe shtabe partiake, gjatë periudhës parazgjedhore.

Ata kritikojnë Shtetin, për mosregjistrimin e rasteve të nxitura nga urrejtja dhe mosdënimin e tyre me qëllim-parandalimi.

Komiteti i Helsinkit, e publikoi sot raportin me rastin e “Ditës evropiane të viktimave nga krimi i nxitur nga urrejtja”. (Afrim Tanallari, TVM2)