Shqipëri, opozita e bashkuar vendim për mosbindje civile

03.04.2018 10:48

Opozita e Bashkuar e Shqipërisë ka mbajtur mbrëmë një mbledhje ku ka marrë vendim unanim se mosbindja civile është e vetmja formë proteste kundër Qeverisë Rama...

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dhe ajo e LSI-së, Monika Kryemadhi, u kanë bërë thirrje qytetarëve të bllokojnë rrugët dhe të mos paguajnë taksën prej 5 eurosh në Rrugën e Kombit.
 
“Kemi dalë me një vendim unanim, në krahë të qytetarëve, të njerëzve të thjeshtë të këtij vendi që po goditen, vidhen dhe përçmohen nga një bandë kriminale në pushtet”,- tha kreu i PD-së, Lulzim Basha. 
 
Opozita ka paralajmëruar protesta derisa taksa rrugore të hiqet, por po ashtu ka thënë se nuk ka tërheqje deri në rrëzimin e Qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
 
“Hapësira e vetme është mosbindja qytetare dhe kjo nis që këtë javë me refuzimin e çdo takse që ka rritur Edi Rama dhe me të gjithë hapat, format dhe mënyrat e mosbindjes qytetare, si forma më e lartë e veprimit politik e qytetar kundër një klike që po zbras Shqipërinë”,- tha më pas Basha. 
 
Në anën tjetër, në orët e vona të së hënës, disa qytetarë janë mbledhur në Tiranë për të kërkuar lirimin e personave të arrestuar pas protestës në Kukës, ku protestuesit kanë shkatërruar tërësisht sportelet e pagesës në Rrugën e Kombit. Kësaj proteste i janë bashkuar edhe disa artistë të Teatrit Kombëtar të Shqipërisë. Protestuesit janë shprehur të vendosur për të vazhduar me tubimet deri në plotësimin e kërkesës së tyre kryesore, që është lirimi i të arrestuarve.