AERODROM-VRASJE

Vrasje dhe vetëvrasje në “Aerodrom” të Shkupit

22.07.2014 16:32

Lagjja “Aerodrom” e Shkupit, mëngjesin e sotëm u trondit nga një ngjarje e rëndë me pasojë 3 të vdekur........

Lagjja “Aerodrom” e Shkupit, mëngjesin e  sotëm u trondit nga një ngjarje e rëndë me pasojë 3 të vdekur.

Sipas informatave të para që posedon MPB, bëhet fjalë për vrasje të dyfishtë, e cila më pas ka rezultuar me vetëvrasjen e personit që ka vrarë dy motrat.

Sipas zëdhënësit të MPB-së, Ivo Kotevski, nga biseda me fqinjët, kryerësi i vrasjes, 36 vjeçari Igor, në fillim ka vrarë Natashën 34 vjeçe, më pas i është kërcënuar motrës së saj, 31 vjeçare dhe pas një zënke, ka shtënë në të dy viktimat. Pas kësaj, ka vrarë edhe veten.

“Është herët të flitet për motivet. Personi, i cili ka kryer vrasjen, është njohur me viktimën, e cila ka jetuar në banesë me dy fëmijët e saj. Vrasja është kryer me pistoletë, të cilën kryerësi e ka poseduar me leje, por edhe më tej duhet të bëhet ekspertizë edhe pse pistoleta është gjendur përskaj trupit të tij. Në banesë kanë qenë prezent edhe fëmijët në moshë shtatë dhe nëntë vjeçare dhe do të zhvillohen biseda informative edhe me ta për rrethanat e vrasjes”- deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski.

Banorët e brengosur, thonë se nuk kanë informacione se çfarë ka ndodhur në lagjen e tyre dhe nuk kanë i njohur viktimat.

“Vrasja ka ndodhur në katin e pestë, këtu janë vrarë dy motra dhe më pas vrasësi ka vrarë edhe veten. Personalisht nuk i njoh viktimat”- u shpreh një banor.

“Nuk i njoh viktimat, këtu jetoj 31 vjet dhe asnjëherë nuk kam dëgjuar për ta”- tha një banor tjetër.

Kryerësi i veprës, ka qenë edhe më parë i njohur për Policinë. Në vitin 2004, kundër tij është ngritur padi penale për prishje të rendit publik me armë gjatë një përleshjeje fizike. (Flutura Latifi, TVM2)