Maqedoni

Alternativat për në NATO, Pendarovski: zgjidhje dinjitoze për emrin e më pas në NATO

03.04.2018 15:43

“Maqedonia jo me çdo kusht të pranojë ndryshimin e emrit për anëtarësim në NATO”....

Ishte kjo porosia që doli në debatin e sotëm kushtuar alternativave që ka vendi për t’u anëtarësuar në strukturën euroatlantike. Për koordinatorin nacional në Këshillin e Sigurisë, Stevo Pendarovskin, edhe në rast të mosgjetjes së zgjidhjes deri në 11 dhe 12 korrik kur do të mbahet Samiti i NATO-s, procesi i bisedimeve duhet të vazhdojë deri në gjetjen e zgjidhjes dinjitoze.
 
“Nëse më 11 dhe 12 korrik nuk marrim ftesë për NATO, nuk shoh se çka do të ishte më e logjikshme, përpos që të vazhdojmë të negociojmë deri sa të mundet. Nuk mendoj se duhet ta arkivojmë këtë çështje pasi që ky është pozicioni ynë strategjik. Nuk shoh alternativë tjetër më të mirë se kjo. Andaj apeloj te të gjithë se Maqedonia nuk do të zhduket nëse në korrik nuk ka marrëveshje”,- tha koordinatori nacional në Këshillin e Sigurisë, Stevo Pendarovski.
 
Analizat flasin se mbi 60% e popullsisë në Maqedonisë dëshirojnë anëtarësim në Aleancën e Veriut edhe pse 20% më pak krahasuar me vitet paraprake. 
Profesori, Rizvan Sulejmani, thotë se NATO-ja është zgjidhja më e mirë për Maqedoninë përkundër alternativave tjera. Sulejmani thotë se as propaganda ruse nuk mund të luhatë këtë përcaktim të qytetarëve.
 
“Ndikimet ruse janë vetëm emocionale dhe të karakterit të luajtjes me frikën dhe pasigurinë e krijuar tek popullata maqedonase, që është irracionale. Kurse në çdo kalkulim racional, të menduar, ata nuk kanë gjasa të ndikojnë”,- theksoi profesori, Rizvan Sulejmani.
 
Ndërkaq nga Fakulteti i Sigurisë ku edhe u mbajt debati, rekomandojnë pushtetin që edhe përkundër zgjidhjes së kontestit kyç me Greqinë, të kryej detyrat e brendshme, të investojë në trajnimin e pjesëtarëve të Armatës si dhe në pajisjet e vjetra tanimë 40 vjet.
 
MERAL ISMAILI