Maqedoni
“Dhuna në Qendër”, të akuzuarit këmbëngulin se janë të pafajshëm. PPS: Procedura ndaj mjekëve që falsifikuan raportet
03.04.2018 16:01
Ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, ish-ministri për transport dhe lidhje, Mile Jankievski, deputetja e VMRO-DPMNE-së, Daniella Rangellova...

Ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, ish-ministri për transport dhe lidhje, Mile Jankievski, deputetja e VMRO-DPMNE-së, Daniella Rangellova, dhe 6 persona tjerë, këmbëngulin se janë të pafajshëm për veprën me të cilën i ngarkon Prokuroria Speciale në rastin “Dhuna në Qendër”. Ish-kryetari i komunës Qendër, Andej Zhernovski, dha dëshminë e tij për ngjarjen dhe i është përgjigjur pyetjeve të avokatëve, ndërsa në seancën e ardhshme gjyqësore më 19 prill do të dëshmojnë edhe dy dëshmitarë të tjerë për këtë rast.
Prokurorja speciale, Fatime Fetai, bëri të ditur gjatë seancës se ka pasur keqpërdorime nga ana e mjekëve në dhënien e raporteve mjekësore, që i mundësuan të akuzuarit, Milan Andovoskit, të mos paraqitet në seancat e kaluara, duke zvarritur kështu të gjithë procesin. Fetai bëri të ditur se ndaj tre mjekëve do të ngrihen procedura adekuate, bazuar në të gjitha datat e caktuara për seanca, për të cilat Andovoski ka pasur raport mjekësor.
Inspektorët e dërguar për kontroll në ordinancën mjekësore, e cila i ka lëshuar raportet mjekësore, ka konstatuar disa lëshime gjatë dhënies së pushimit, respektivisht mungonin analizat laboratorike. Fetai kohë më parë kërkoi arrestim për Andonovskin, por gjykata e refuzoi me arsyetimin se ai ka pasur mbulim juridik dhe se është në pushim mjekësor. Disa të akuzuar tjerë për rastin “Dhunën në Qendër”, të cilët më herët e pranuan fajin, morën dënime me kushte.
REXHEP QAMILI
