Maqedoni
Bisedimet rreth emrit. Pas Pashkëve, Kocias sërish në Shkup. Pendarovski: procesi i bisedimeve, në fazë të hershme
03.04.2018 18:19
Bisedimet rreth emrit mes shefave të diplomacisë së të dy vendeve fqinje, sipas të gjitha gjasave, do të vazhdojnë pas Pashkëve...

Mediat greke paralajmërojnë takim më 12 prill, mirëpo sipas MPJ-së të Maqedonisë, data ende nuk është caktuar, edhe pse, në parim, ka pajtim që ministri i jashtëm grek të vijë në Shkup pas festës së Pashkëve.
Vizita e radhës, që pritet të ndodh pas Pashkëve, në fakt paraqet takimin e tretë brenda një muaji, pas vizitës së Kociasit në Shkup më 23 mars dhe takimit të Vjenës që u realizua vetëm një javë më vonë, më 30 mars.
Sipas njohësve të rrethanave, shpeshtimi i takimeve paraqet lëvizje përpara të këtij procesi që po numëronte në vend për disa dekada, megjithatë ka edhe shumë punë për t’u bërë.
Profesori i universitetit, njëkohësisht koordinator i qeverisë, përgjegjës për anëtarësimin në NATO, Stevo Pendarovski, thotë se bisedimet janë ende në fazë të hershme dhe se kontesti nuk mund të zgjidhet në dy-tre takime mes dy shefave të diplomacive.
“Ende bëhet fjalë për fazë të hershme të procesit të bisedimeve. Për mua ky intensitet takimesh në nivel ministrash të jashtëm ende është pak për procesin kryesor, pasi në të ka edhe shumë punë për t’u bërë. Dhe, nga ajo që shoh unë deri në këtë moment, pozicionet janë të ndryshme për elementet e rëndësishme për zgjidhjen e mundshme”,- theksoi profesori i universitetit, Stevo Pendarovski.
Shtimi i intensitetit të takimeve ndodh në prag të publikimit të Raportit të KE-së për Maqedoninë që pritet të publikohet më 17 prill, ku ndër të tjera, rëndësi e posaçme u jepet edhe marrëdhënieve me fqinjët dhe zgjidhjes së kontesteve dypalëshe. Vetëm 10 ditë më vonë parashihet edhe takimi i ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, i planifikuar për më 27 prill.
Në ndërkohë, ministrat e jashtëm të dy vendeve vazhdojnë takimet dypalëshe me funksionarët shtetërorë dhe liderët e partive politike për t’i njoftuar me ecurinë e bisedimeve.
Shpeshtimi i takimeve, por edhe qëndrimi optimist i kryeministrit, Zoran Zaev, lënë për të kuptuar se procesi po lëviz drejt një zgjidhjeje.
Në këtë kontekst, Zaev paralajmëroi takim liderësh nga 10 prilli, që sipas të gjitha gjasave do t’i paraprijë vizitës së kryediplomatit grek, Kocijas, dhe takimit të ri me ndërmjetësuesin Nimic.
SHPËTIM NUREDINI
