Botë
Shpërthim në aeroportin e kabulit
22.07.2014 17:50
Një shpërthim vetëvrasës në aeroportin e Kabulit u ka marrë jetën të paktën katër personave...

Një shpërthim vetëvrasës në aeroportin e Kabulit u ka marrë jetën të paktën katër personave, tre prej të cilëve dyshohet të jenë të huaj.
Guerrilasit talebanë morrën përgjegjësinë e sulmit.
Aeroporti i Kabulit përdoret si nga civilët edhe nga ushtarakët dhe atentati i sotëm vjen pak ditë pasi forcat afgane të sigurisë zmbrapsën një sulm të mirëorganizuar ndaj këtij kompleksi.
Militantë të armatosur deri në dhëmbë sulmuan aeroportin me granata dhe armë të rënda zjarri.
Nga shkëmbimi i zjarrit katër rebelë mbetën të vrarë dhe një roje sigurie i plagosur.
Të gjitha këto ndodhin kur vendi është ende pa një fitues zyrtar të zgjedhjeve presidenciale.
Komisioni zgjedhor po kryen një audit të votave të balotazhit të 14 qershorit, ndërkohë që rreziku për destabilitet sa vjen e rritet. Ashraf Ghani fitoi balotazhin, sipas rezultateve paraprake.
Por Abdullah Abdullah kryesoi raundin e parë në muajin prill, megjithëse nuk siguroi dot 50 për qind të votave. Të dy kandidatët akuzojnë njëri-tjetrin për manipulime elektorale.