Botë
10 ushtarë të UÇK-së nën akuzë për krime lufte
22.07.2014 17:57
Të paktën 10 ish-pjesëtarë të UÇK-së do të akuzohen për krime lufte. Prokurori amerikan, Clint Uilliamson...

Të paktën 10 ish-pjesëtarë të UÇK-së do të akuzohen për krime lufte. Prokurori amerikan, Clint Uilliamson thotë se ka gjetur prova për këto krime kundër civilëve, shkruan gazeta “Koha Ditore” në numrin e sotëm.
Shumica prej viktimave janë serbë. Ndërkohë, gjatë hetimit nuk janë gjetur prova të mjaftueshme për ta mbështetur aktakuzën për trafikim organesh të të burgosurve të kapur rob. Aktakuzë kundër disa pjesëtarëve të UÇK-së do të ketë edhe për zhdukjen e një numri të madh serbësh të Zoqishtës së Rahovecit.
Përgjegjës konsiderohen dy eprorë të lartë të UÇK-së. Gjetjet në pika të shkurtra Uilliamson ua ka prezantuar autoriteteve kosovare dje.
Të akuzuarit pritet të ngarkohen me përgjegjësi penale për veprime individuale, e jo me akuza për përgjegjësi komanduese. Rrjedhimisht, nga përgjegjësia penale pritet të shkarkohet kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi.
Uilliamson shmangu vetëm takimin me Hashim Thaçin, i cili ishte apostrofuar si një protagonist i këtyre hetimeve.
Por ai sot u takua me Kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiç. Ky I fundit thotë se publikimi i gjetjeve të hetimit të trafikut të organeve gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999 do të jetë me rëndësi të madhe për Serbinë. Uilliamson pritet të lëshojë një raport në Bruksel më 28 korrik.