Boshnjakovski: Vazhdojnë bisedimet për zgjerimin e qeverisë

04.04.2018 13:45

Vendet e zbrazëta në disa dikastere të qeverisë, përfshi edhe Ministrinë e Drejtësisë....

Vendet e zbrazëta në disa dikastere të qeverisë, përfshi edhe Ministrinë e Drejtësisë, do të mbeten të tilla deri në përfundimin e bisedimeve për zgjerimin e koalicionit qeverisës.

Zëdhënësi i qeverisë konfirmoi se bisedimet për këtë qëllim po vazhdojnë, ndërsa datë konkrete për plotësimin e vendeve vakante nuk ka.     

“Nuk mund të përmend data specifike, ajo që mund të paralajmëroj është se bisedimet, përkatësisht zgjerimi i koalicionit qeverisës, po rrjedh”,- theksoi zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.

Edhe procesi i sistematizimit të nëpunësve sipas MO-së, ende nuk ka përfunduar edhe pse ky proces u përshpejtua. Qeveria ka caktuar kuotat se në cilin institucion sa nëpunës do të shkojnë, por listën se kush ku do të nis punën ende po e harton Sekretariati për zbatimin e MO-së.

“Gjithsesi, bëhet fjalë për një procedurë, edhe pse me afate të shpejtuara, sërish është në rrjedhë. Nuk mund të ndodh brenda natës pasi bëhet fjalë për 980 persona, të cilët janë shpërndarë. Për momentin, nga kabineti i zëvendëskryeministrit Lika punon ekip i cili i kontakton dhe informon njerëzit dhe kështu vazhdon e gjithë procedura me rishpërndarjen e tyre. Më jepni edhe pak kohë do t’u japim raport të detajuar”,- theksoi zëdhënës i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.

Rreth 1700 administratorë të punësuar përmes Sekretariatit për zbatimin e MO-së, e që kishin për qëllim rritjen e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, për vite me radhë, nuk u sistemuan nëpër institucione të tjera, por konsideroheshin si të punësuar në Sekretariatin për zbatimin e MO-së. Pas sistematizimit të grupit të parë prej rreth 1000 administratorë, do të fillojë faza e shpërndarjes së pjesës së mbetur. (Shpëtim Nuredini, TVM2)