Maqedoni
Raporti i revizionit për MEPSO-n 2016, Boshnjakovski: Ka dyshime për keqpërdorime
04.04.2018 16:15
Revizioni ka dorëzuar në qeveri raportin për punën e MEPSO-s gjatë 2016, në të cilin ka dyshime serioze për keqpërdorime për dy raste në vitin 2011 dhe 2012...

Pikërisht për shkak të këtyre dyshimeve, qeveria vendosi që raporti të dërgohet në Prokurorinë Themelore, e cila do të vërtetojë nëse ka ose jo bazë për fillimin e procedurës ligjore.
“Ka dyshime të caktuara, prandaj qeveria vendosi që raporti i revizorëve të dërgohet në Prokurorinë Themelore Publike me qëllim që dyshimet të kontrollohen plotësisht. Nëse Prokuroria vlerëson se ka hapësirë për ndonjë procedurë, do t’i fillojë. Ka dy situata që janë kontestuese dhe janë të theksuara në raportin e revizorëve. E para është për blerjen e një prone në vitin 2011. MEPSO ka marrë ofertë që të blejë një pronë prej 2.178 metrash katrorë me çmim prej 3.7 milionë eurosh, por oferta është refuzuar. Dy vjet më vonë, e njëjta pronë, por tanimë nga një tjetër person juridik, i është shitur MEPSO-s me çmim prej 4.8 milionë eurove. E dyta ka të bëjë në kohën e ndarjes së Elektro-menaxhimit të Maqedonisë në vitin 2012, kur një pjesë e rrjetit, siç janë trafostacionet e të ngjashme, që janë në pronësi të MEPSO-s, nuk janë shkruar në Kadastër si pronë e MEPSO-s. Këto objekte, EVN i ka dhënë me qira dhe ka marrë kredi me hipotekë. Në raportin e revizorit është theksuar se kjo situatë patjetër duhet të sqarohet, pasi kjo pronë është në pronësi të shtetit, gjegjësisht të MEPSO-s”,- theksoi zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.
