Maqedoni

Bejli: Keni gjasa reale për anëtarësim, kujdes reformat! Juçioli: Zgjidhni emrin, kjo i intereson edhe aleancës

04.04.2018 16:35

Anëtarësimi në NATO është prioritet për Maqedoninë, pasi alternativat e tjera janë të rrezikshme për vendin...

Në tribunën “NATO dhe ti”, ambasadori, Xhes Bejli, tha se vendi tani ka gjasa reale për anëtarësim në Aleancë për dallim nga e kaluara. Ai porositi politikanët të punojnë për reformat dhe në tejkalimin e dallimeve për emrin, që të mund së shpejti të marrë ftesën në Samitin e NATO-s në korrik.
 
“Ekziston ndjenja e mundësisë reale që Maqedonia t’i bashkëngjitet Aleancës. Nuk do të thotë se ka barriera të pakalueshme. Niveli i ulët i sundimit të së drejtës vendin e bën të prekshëm nga korrupsioni, por edhe nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm. Hyrja në NATO do të ndihmojë që të tejkalohen ndarjet e brendshme politike. Por, është e nevojshme që të ketë reforma sistematike të cilat do të zbatohen dhe jo të mbeten vetëm në letër. Pra, ligjet që miratohen në Kuvend, më tej duhet të implementohen në praktikë”,- deklaroi ambasadori i ShBA-së në RM, Xhes Bejli.
 
Kryetar i Asociacionit të Marrëveshjes së Aleancës së Veriut, Fabricio Juçioli, tha se që të zgjidhet çështja e emrit duhet vullnet jo vetëm nga politika e dy vendeve, por edhe një ndërmjetësim më i fuqishëm nga jashtë. 
 
“Unë do të inkurajoja të gjithë aktorët e përfshirë në çështjen e emrit që të zgjidhin këtë çështje jo vetëm me politikën e brendshme, pasi që kjo është çështje që i intereson të gjithë Aleancës Veriatlantike”,- theksoi kryetari i Asociacionit të Marrëveshjes Atlantike, Fabrcio Juçioli.
 
Ministrja e mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska, pohoi se anëtarësimi në Aleancë ka një rëndësi të posaçme për Maqedoninë. Por, ajo kërkoi mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.
 
“Ne treguam se Maqedonia është e vetëdijshme, se më parë duhet të zgjidhë problemet e saj. Por, tani është momenti kur me rezultatet që kemi arritur ne të mund të kërkojmë edhe mbështetjen tuaj, që Maqedonia të vazhdojë të kontribuojë drejt sigurisë në rajon, pasi që e kemi parë se siguria në Ballkan është siguri e Europës, dhe pikërisht siguria e Europës ishte fillesa e NATO-s”,- u shpreh ministrja e mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska.
 
Sot kur NATO-ja shënon 69 vjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes së Uashingtonit, Maqedonia ka prezantuar dokumentet për anëtarësim në NATO të sjella para 25 viteve, si dhe pjesëmarrjen e Armatës në misione që janë udhëhequr nga Aleanca.
 
MERAL ISMAILI