Maqedoni
Bashkëpunimi Maqedoni – Shqipëri në bujqësi, ministrat diskutojnë lehtësitë doganore
04.04.2018 16:49
Ministrat e Bujqësisë të Shqipërisë dhe Maqedonisë janë takuar në Ohër për të diskutuar rreth lehtësimeve për prodhimet bujqësore të të dy vendev...

Ministrat e Bujqësisë të Shqipërisë dhe Maqedonisë janë takuar në Ohër për të diskutuar rreth lehtësimeve për prodhimet bujqësore të të dy vendeve, në kuadër të marrëveshjes CEFTA për tregti të lirë.
Maqedonia është një ndër tre partnerët tregtarë kryesorë të Shqipërisë prej nga importohet 30.1% e produkteve bujqësore. Ministrat Nikollovski dhe Peleshi kanë diskutuar për lehtësimin e procedurave doganore në eksportin e prodhimit të hershëm bujqësor.
“Me këtë vullnet politik i kemi të gjitha mundësitë të rritim volumet tona tregtare. Së pari, kjo ka qenë një nga pikat të cilat elaboruam më tepër, pra si ta bëjmë CEFTA-n dhe tregtinë e lirë, shkëmbimet tona tregtare sa më funksionale, si të rritim volumin tonë tregtar. Sot që flasim, ne kemi një volum tregtar prej rreth 25 milionë eurosh. Në fakt, Shqipëria importon më shumë sesa eksporton drejt Maqedonisë, por rritja e volumit tregtar, rritja e eksporteve dhe rritja e importeve nga të dy vendet, në fakt është edhe treguesi i punës së ministrive tona respektive. Ne jemi konkurrentë, por jemi edhe komplementarë, pra kemi mundësinë dhe potencialin e madh që të shfrytëzojmë këtë komplementaritet. Pra, të rrisim shkëmbimet tregtare përmes marrëveshjeve, ku të dy palët fitojnë. I besojmë tregtisë së lirë, ndaj dhe ky takim ka pasur një vullnet të dyanshëm”,- deklaroi ministri i Bujqësisë i Shqipërisë, Niko Peleshi.
