Botë
Protestat në “Rrugën e Kombit”, lihen në burg 10 protestues, tensionohet situata. PD: mosbindja civile, e vetmja zgjidhje
04.04.2018 18:02
Nën masa të rrepta sigurie, nën kujdesin e mbi një mijë forcave policore...

Nën masa të rrepta sigurie, nën kujdesin e mbi një mijë forcave policore, Gjykata e Tiranës ka vendosur të lërë në burg 10 prej të arrestuarve për protestën e dhunshme në Rrugën e Kombit si dhe të lirojë 13 të tjerë.
Mbi të arrestuarit rëndojnë 4 akuza, ndër të cilat: kundërshtim i forcave të policisë, goditje për shkak të detyrës dhe shkatërrim i pronës. Seanca është zhvilluar në rrethana tepër të tensionuara, teksa gjatë paradites ka pasur përplasje mes deputetëve të opozitës dhe policisë.
Deputeti demokrat, Edmond Spaho, tha se është dhunuar nga policia dhe se kjo ngjarje nuk do të kalojë lehtë.
“E vetmja zgjidhje për qytetarët shqiptarë është mosbindja civile. Ky regjim i narkotrafikantëve përballet vetëm me qëndresë qytetare. Prandaj i bëj thirrje të gjithë qytetarëve t’i bashkohen opozitës, të gjithë atyre që nuk duan stabilitet të krimit të organizuar, por demokraci, që sot nuk e gjejnë në vendin tonë”,- tha deputeti i PD-së, Edmond Spaho.
Më tej situata ka kaluar e qetë, por pas dhënies së vendimit, familjarët janë shprehur të pakënaqur për të afërmit (protestues) që mbetën në burg.
LULJETA NDOKA
