Maqedoni
Ndërtimi i rrugës Shkup - Bllacë, Osmani: Projekti i rrumbullakuar, brenda pak muajsh
04.04.2018 17:57
Autostrada Shkup - Bllacë është kthyer në prioritet për Qeverinë e Maqedonisë...

Për këtë qëllim është themeluar një grup ministrorë me të cilin do të kryesojë zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, që do të adresojë çështjet e nevojshme për ndërtimin e kësaj rruge.
Osmani tha se janë siguruar mjete për revidimin e projektit bazë, teksa potencoi rëndësinë e kësaj rruge, duke e cilësuar atë si prioritet i nivelit të lartë për shkak të benifiteve ekonomike dhe rëndësisë që ka për qytetarët e vendit. Paralelisht me finalizimin e projektit, qeveria po shqyrton format e financimit, tha Osmani.
“Kemi siguruar mjete nga Fondi Europian për Ballkanin perëndimor në vlerë prej 1.3 milion euro për të bërë revidimin e projektit bazë i cili daton nga viti 2002. Brenda disa muajve ne do të kemi një projekt të rrumbullakuar. Fondi Europian për Ballkanin perëndimor veç më ka caktuar kompaninë franceze për projektim, e cila brenda një muaji do të fillojë riprojektimin dhe pastaj do të ulemi dhe paralelisht të gjejmë burimet e financimit. Janë disa opsione të cilat sot i kemi shqyrtuar. Një, të financohet nga buxheti i shtetit kryesisht dhe dy, të sigurohen mjete nga institucionet ndërkombëtare financiare”,- theksoi zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri Osmani paralajmëroi edhe mbledhje të përbashkët midis Qeverisë së Maqedonisë dhe asaj të Kosovës. Po shqyrtohen detajet e mbledhjes, tha ai.
“Unë dhe z. Enver Hoxhaj jemi koordinatorë të mbledhjes së përbashkët. Ai nga ana kosovare dhe unë këndej. Kemi bërë një draft tabelë të pikave që mund t’i shqyrtojmë. Për momentin grupet e punës të të dy qeverive po i pastrojnë ato pika të cilat mund të shqyrtohen dhe mendojmë që shumë shpejt kryeministrat e dy vendeve, në bazë të këtij plani që ne si koordinatorë e kemi përcaktuar, do të caktojnë edhe datën për mbajtjen e mbledhjes”,- u shpreh zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani.
Projektet dhe mbledhjet e përbashkëta të të dy qeverive ndikojnë padyshim në rritjen e bashkëpunimit. Përfundimi i rrugës Shkup - Prishtinë do të zvogëlojë distancën e udhëtimit në një orë. Një leverdi e padiskutueshme kjo edhe për qytetarët edhe për ekonomitë e dy vendeve.
Gjithsesi, rruga ka koston e saj, pasi parashihet ndërtimi i disa tuneleve dhe urave, akueduktëve dhe elementeve të tjerë. Por, leverdia ekonomike dhe njerëzore e kësaj rruge padyshim që arsyeton koston e saj.
NAIM RAMADANI
