Maqedoni

Bllokohet xhirollogaria e gjinekologjisë, Klinika e Gjinekologjisë: Kemi mjete për funksionim normal

04.04.2018 18:16

Për shkak të ekzekutimit të 12 vendimeve gjyqësore, është bllokuar llogaria bankare e Klinikës Gjinekologjike në Shkup....

 Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka bërë të ditur se deri te bllokimi i llogarisë ka ardhur për shkak të rasteve të vitit 2008 për të cilat nuk janë ndarë mjete në buxhetin e klinikës.
 
"Vendimi për tërheqjen e parave nga llogaria është bërë për shkak të padive të vitit 2008. Ajo është një shumë mjetesh që nuk ishte paraparë në buxhetin e klinikës. Por, të gjitha institucionet publike shëndetësore kanë të drejtë për donacione në llogari të veçanta",- theksoi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Bëhet fjalë për 40 milion e 974 mijë e 561 denarë dëmshpërblim për 12 padi nga prindërit e fëmijëve me shikim të dëmtuar që nga viti 2008, të cilët ishin liruar në shtëpi pa u kontrolluar nëse ata përballen me retinopati. Për të tejkaluar këtë problem, ministri Filipçe ka realizuar edhe një takim me drejtoreshën e klinikës dhe ministrin e financave, për të gjetur zgjidhjen e debllokimit të llogarisë së Klinikës Gjinekologjike. Nga gjinekologjia megjithatë kanë bëri të ditur se për momentin posedojnë mjete të mjaftueshme për funksionim normal dhe shpresojnë se së shpejti do të tejkalohet problemi.
 
“Edhe përkundër llogarisë së bllokuar, Klinika punon normalisht dhe nuk do të lejojmë bllokimin e punës",- theksojnë nga Klinika Gjinekologjike në Shkup.
 
GYLTENE SINANI