Botë

Turqi, kërkesa ekstradimi 24 shteteve për 54 “gylenistë”

04.04.2018 18:24

Gjykata e Lartë në Turqi lëshoi një numër kërkesash ekstradimi për 54 pjesëtarë të rrjetit të klerikut në arrati, Fetullah Gylen, në të gjithë botën...

Kërkesat u janë dërguar 24 shteteve, mes të cilave edhe Shqipërisë. Gati gjysma e të kërkuarve ushtrojnë aktivitetin në ShBA. Mes 25 emrave për të cilët kërkohet edhe ekstradimi është edhe Fetullah Gylen, drejtuesi i rrjetit dhe kundërshtari politik numër një i presidentit, Rexhep Taip Erdogan.
 
Prej 19 vitesh ai jeton në arrati në shtetin federal amerikan të Pensilvanisë, i kërkuar nga drejtësia turke për një seri akuzash, mes të cilave për korrupsion e së fundmi edhe për terrorizëm. Erdogan e akuzoi si organizator të grushtit të dështuar të shtetit të korrikut 2016. 
 
Kërkesa për ekstradime u janë dërguar edhe autoriteteve gjermane, britanike, holandeze, belge, izraelite, disa shteteve afrikane e aziatike. Gjashtë “gylenistë” u kapën në një operacion të fshehtë javën e kaluar në Kosovë. Ndërsa mediat greke japin alarmin se tetë ushtarët turq që kërkohen nga Ankaraja si puçistë, mund të vriten nga shërbimet sekrete turke në një operacion të fshehtë si ai në Kosovë.