Vandalizimi i lapidarit të UÇK-së, SHVL-UÇK: mos bini pre e provokimeve!
ShVL-UÇK ka reaguar ndaj vandalizimit të lapidarit emblemë të UÇK-së në Ramne...

ShVL-UÇK ka reaguar ndaj vandalizimit të lapidarit emblemë të UÇK-së në Ramne, në rrugën që lidh Tanushën me Brezën.
“Ky akt mizor është kryer nga dora e atyre që u pengojnë të arriturat e UÇK-së dhe është sulm i drejtpërdrejt ndaj vlerave të kësaj ushtrie të lavdishme, ndaj vlerave të Marrëveshjes së Ohrit dhe është akt trazirë-nxitës i orkestruar nga ata që duan të bëjnë destabilizimin e shtetit”,- thuhet në kumtesën e ShVL-UÇK -së.
Ata apelojnë për ruajtjen e gjakftohtësisë dhe kërkojnë nga organet kompetente që të zbardhin rastin dhe autorët të nxirren përpara drejtësisë.
“Apelojmë deri te të gjithë anëtarët e Shoqatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, të ruajnë gjakftohtësinë dhe të mos bien pre e provokimeve të ulëta të politikave ditore. Kërkojmë nga organet kompetente të shtetit, te të cilat edhe është denoncuar rasti, që në afat sa më të shkurtër kohor të gjenden autorët e këtij akti makabër dhe të nxirren përpara drejtësisë. Shoqata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare do të vazhdojë misionin e saj më të shenjtë – ruajtjen e vlerave të UÇK-së dhe nuk do të stepet përpara asnjë provokimi”,- thonë nga ShVL-UÇK.
