Shqipëri, opozita bllokon rrugët
Ditën e sotme, opozita do të dalë në rrugë ku do të bllokojë disa akse kryesore të rrugëve...

Ditën e sotme, opozita do të dalë në rrugë ku do të bllokojë disa akse kryesore të rrugëve, ndërsa për këtë protestë, lideri demokrat Lulzim Basha tha se partitë opozitare nuk kanë arsye pse të marrin leje nga policia.
“Nuk mund të na arrestojnë të gjithë popullin”, – tha Basha.
Por Policia e Shtetit, në një deklaratë për mediat mbrëmë, paralajmëroi se forcat opozitare dhe të gjithë që do të marrin pjesë në protestën që konsiston në bllokimin e disa akseve kryesore rrugore kombëtare, do të përballen me ligjin, duke paralajmëruar kështu arrestime.
Paralajmërimi për protestën e së enjtes, më 5 prill, është bërë vetëm përmes medias dhe opozita nuk ka marrë leje në Polici.
“Organizatorët e kësaj proteste të paligjshme do të përballen me ligjin për çdo pasojë të paparashikuar, që mund të sjellë një protestë e organizuar për të nxitur rrëmujë dhe konflikt në pika nevralgjike për qarkullimin e njerëzve dhe mjeteve”, thotë Policia e Shtetit.
Policia i bën apel qytetarëve që të mos bëhen pjesë e protestës, duke paralajmëruar se në të mund të marrin pjesë persona me precedentë kriminalë të paguar për të nxitur rrëmujë dhe konflikt.
Kjo protestë e opozitë vjen vetëm pak nga përplasja e dhunshme që ndodhi në rrugën e Kombit, mes policisë dhe protestuesve, kundër taksës për të vendosur nga qeveria për këtë rrugë.
Po ashtu, protesta bëhet një ditë pas gjyqit në Tiranë, ku gjykata e Kukësit, e transferuar në Tiranë për shkaqe sigurie dhe kapacitetesh, vendosi të lërë në burg 11 nga 23 të arrestuarit pasa protestës në rrugën e Kombit.
